Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë kthehet nga java e ardhshme për votim të dytë në Parlamentin maqedonas.
Por, edhe pse Kushtetuta e detyron ta firmosë, presidenti Gjorge Ivanov, me shumë gjasë do të refuzojë sërish ta bëjë një gjë të tillë.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi e bëri një përpjekje të fundit, duke i kërkuar të reflektojë në shenjë të asaj që u konsiderua si ditë historike, ftesës për anëtarësim në NATO.
“Ne në Parlament do të bëjmë detyrën tonë, siç e dikton procedura. E ftoj dhe presidentin të bëjë të tijën”, ishte thirrja e Xhaferit.
Arsyetimi i kryeparlamentarit maqedonas për atë që po kthehet tashmë në një praktikë të vetove, është se kështu mund të ketë zvarritje, por në fund, presidentit nuk ia mundëson Kushtetuta veton absolute, e në këto rrethana nuk ka opsion tjetër.
I pyetur për referendumin, Xhaferi foli për dispozitat ligjore për shpalljen e datës. Ai përmendi edhe modelin e referendumit dhe faktin që nuk do të ketë nevojë për ndryshime, duke theksuar se do të respektohen të njëjtat procedura si për organizimin e zgjedhjeve.
Meqenëse bëhet fjalë për çështje të brendshme, Xhaferi sqaroi se diaspora mund të votojë në Maqedoni, por jo edhe jashtë vendit./a.m.