Zbatimi i ligjit të Vetingut po merr një rëndësi të shumëfishtë. Përfundimi i verifikimit të trefishtë për 57 gjyqtarët dhe prokurorët prioritarë, të cilët janë edhe kandidatë për dy organet më të rëndësishme të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është përfshirë në rezolutën e Bashkimit Evropian si një nga prioritetet që duhet të përmbushë Shqipëria në kuadër të caktimit të datës për çeljen e negociatave në qershor të 2019.
Ky proces është përcaktues jo vetëm për konstituimin e KLP dhe KLGJ, por edhe për ngritjen e organeve të SPAK-ut, ku përfshihen Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale. Këto organe janë projektuar për të luftuar krimin, trafiqet në të gjitha nivelet, kërkesa këto të të gjitha vendeve pektike për negociatat.
Në këto rrethana ka një vëmendje të shtuar mbi punën e trupave gjykuese të Vetingut, ndërsa kërkohet më shumë intensitet për kontrollin e grupit të parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka sqaruar për Shqiptarja.com se gjatë hapësirave kohore nga kontrolli i një subjekti tek subjekti tjetër, kryhen një sërë procedurash, të cilat kërkojnë kohën e duhur, për të garantuar një proces të plotë dhe të saktë.
“Sqarojmë se, përpara caktimit të seancës dëgjimore, trupat gjykuese kryejnë një sërë procedurash të përcaktuara në ligjin nr. 84/2016, duke hetuar dhe vlerësuar të gjitha faktet dhe rrethanat për rivlerësimin kalimtar të subjekteve. Ky proces kërkon kohën e nevojshme për të qenë sa më i plotë dhe i saktë në gjykimin e subjekteve që i nënshtrohen rivlerësimit. Theksojmë se hapësira kohore, për të cilën ju jeni i interesuar, ka qenë në funksion të punës së Komisionit, pasi gjatë atyre ditëve komisionerët, në zbatim të legjislacionit përkatës, kanë qenë të angazhuar edhe me shortet profesionale të subjekteve të rivlerësimit. Ju garantojmë se Komisioni e ka të qartë rëndësinë e këtij procesi dhe po punon në të gjitha aspektet e tij me rigorozitet dhe intensitet të lartë”, sqaron KPK.
Faza e dytë e Vetingut
Kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë e KLP dhe KLGJ janë grupi i parë prioritar që po i nënshtrohet Vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit se pas rivlerësimit të këtij grupi prioritar, do të procedohet me anë të shortit me gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë sipas niveleve.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” po kryen procesin e rivlerësimit për subjektet e rivlerësimit kalimtar. Aktualisht, trupat gjykuese po kryejnë procedurat e rivlerësimit për të gjitha subjektet që janë shortuar sipas ligjit dhe që janë pjesë e listës së përparësisë. Siç edhe ju e keni ndjekur dhe raportuar në media, nga data 21.03.2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur mbajtjen e seancave dëgjimore dhe do të vijojë me to deri në përmbylljen e të gjithë këtij procesi.
Subjekti, Z. Gjin Gjoni, nuk është pjesë e listës prioritare, për rrjedhojë ne nuk mund t’ju japim një datë se kur do t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit, por ju garantojmë se do ta bëjmë publike, ashtu siç kemi vepruar edhe me subjektet e tjera, sapo t’i nënshtrohet shortit”, thekson Komisioni.
ma.me