Dëmtimi i mijëra librave nga uji në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ka sjellë reagimin e Presidentit Ilir Meta.
Kreu i shtetit thotë se po ndjek nga afër situatën, ndërsa kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse që situata të tilla të mos përsëriten më.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Bibliotekën Kombëtare, këtë institucion të rëndësishëm të trashëgimisë tonë të pasur kulturore. Në vijmësi Kabineti i tij po ndjek nga afër situatën dhe është në komunikim me Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare”, thuhet në reagimin e presidencës.
Kreu i shtetit u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente në mënyrë që të parandalojnë përsëritjen e një situate të ngjashme në të ardhmen.
Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithë faktorëve politikë, socialë e mediatikë, “Presidenti bën thirrje që të gjithë bashkë të kontribuojmë për të ruajtur vlerat e pasura të fondit të Bibliotekës sonë Kombëtare”, vijon reagimi./a.m.