Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka publikuar faksimilet e marrëveshjes së fundit të Partisë Demokratike me kompaninë amerikane të lobimit “Sonoran Policy Group, LLC”.
Referuar dokumentit të nënshkruar nga kryedemokrati Lulzim Basha, “selia blu” mësohet të ketë akorduar një shumë parash prej dyzet mijë dollarësh amerikanë ($ 40.000.00), për të ndërkombëtarizuar çështjen e krimit të organizuar në Shqipëri.
“Konsulenti do të punojë me opozitën shqiptare për të ndërtuar një strategji anti-narkotike dhe kundër krimit të organizuar për Shqipërinë.
Marrëveshja do të lehtësojë takimet dhe bashkëveprimet me Shtetet e Bashkuara.
Do të mundësohen takime me zyrtarët e administratës për angazhimin e Klientit (Basha), Kongresit dhe Ekzekutivit, si dhe çështjet ekonomike.
Do të punojë me agjencitë e zbatimit të ligjit vendas dhe ndërkombëtar për të luftuar epideminë e krimit të organizuar, si dhe të kryejë çdo detyrë shtesë mbi një marrëveshjen e rënë dakord”, shkruhet ndër të tjera në kontratën e nënshkruar, zbardhur nga “TemA”.
Sa i përket pagesës së kryer, klauzola numër 4 përcakton detyrimet financiare të PD-së ndaj kompanisë “Sonoran Policy Group, LLC”, për shërbimin.
“Kompesimi: Klienti (Basha) do të paguajë konsulentin dyzet mijë dollarë amerikanë ($ 40.000.00).
Përveç kompensimit, klienti duhet të rimbursojë kompaninë për të gjitha shpenzimet e arsyeshme dhe zakonore jashtë xhepit të shkaktuara nga Konsulenti në lidhje me përmbushjen e kësaj Marrëveshjeje”, nënvizohet në marrëveshje.
Kontrata e lobimit mban datën 11 qershor 2018, dhe është rakorduar 17 ditë para se Bashkimi Europian të marrë vendimin mbi çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Teksa vendi gjendet mbi “tehun e shpatës” për të bindur ndërkombëtarët që të hapin “dritën jeshile”, një lobim i tillë mund të ndikojë në vendimmarrjen e shteteve të BE-së që mund të vendosin veton ndaj Shqipërisë.
Kompania e kontraktuar për të kryer lobimin, në bazë të investigimeve nga media amerikane, rezulton që të jetë marrë me tregti armësh dhe biznese të dyshimta me Zelandën e Re, për ç’ka është vendosur nën hetim.
“Sonoran Policy Group, LLC” është një kompani e vogël lobimi e cila ju afrua fushatës së presidentit amerikan Donald Trump përmes njohjeve me kongresmenët Dana Rohrabacher dhe M. Flynn.
Rohrabacher njihet për afrimitetin e tij me liderin e opozitës Lulzim Basha, ku vitin e shkuar gjatë protestës në çadër ai përcolli një letër “pro-opozitare”, në të cilën vinte në pikëpyetje funksionimin e qeverisë dhe bënte thirrje për oponencë nga qytetarët.
Ndërkohë që flitet për lobime të reja, le të kujtojmë se Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha janë duke u hetuar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA pas investigimit të “Mother Jones”, e cila konkludoi se një kompani me lidhje ruse kontraktoi një ish-ndihmës të Donald Trump për të forcuar PD-në gjatë pranverës së shkuar.