Nga Ben Andoni
“Ne i mundëm dy herë gjermanët! Kurse tani ata janë kthyer!”. Me këto fjalë, Margaret Theçër më dhjetor të vitit 1989 në një samit evropian, shprehte pezmin për bashkimin blic gjerman. Nga përtej tavolinës, i stërmadhi Helmut Kohl e shihte pafolur dhe ngultas. Të tjera plane kishte në kokë, të tjera “Zonja e Hekurt”. Një grup prej dhjetë gazetarësh nga e gjithë bota ia kujtojmë këto ish-kryeministrit gjermano-lindor, në një takim në Berlin organizuar nga Zyra Federale e Jashtme. Dr. Hans Modroë, një plak i thartë, që mosha ia ka zbehur shumë zërin, por jo aq vitalitetin dhe krenarinë, dëgjon dhe përgjigjet logjikshëm në variantin e tij. Teoria e tij e bashkimit është tjetër. Me dinjitet tregon variantin e vet, sipas të cilit Lindorët punuan njësoj për bashkimin. Një ditë më parë, Ëerner Kolhoff gazetar dhe shefi i korrespondentëve të gazetës “Saarbrücker Zeitung” në Berlin, na e ka treguar të gjithë procesin e Rënies së Murit, si mrekulli të çastit! Ditën që muri u rrëzua, ai vetë, ishte zëdhënës i Senatit të Berlinit. Burri i gjatë poshtë një ashpërsie teutone nuk pranon asgjë nga komentet tona. Por skema që tregon për momentet e hapjes së murit i ngjan më shumë sekuencave të një filmi hollivudi. Një konferencë shtypi. Zyrtari i lartë i RDGJ-së, që nuk dinte asgjë dhe pyetjet e gazetarëve të huaj se ç’po ndodhte. Asgjë për Honecker! STASI se kish mendjen!!! Peter Brinkmann, një plak që ka punuar në atë kohë për BILD, dhe që moderon na tregon një e dy veten, sikur do na paraqesë një film me xhirim të ngadaltë. Kolhoff i tha shefit të vet në Berlin se diçka po ndodh. Po? Atë ditë gjermano-lindorët u gjendën matanë. “Nuk ka mundësi që të ketë ndodhur kështu. Po atëherë ç’po bënte STASI i egër…?-e pyes. ”Vërtetë ne nuk dinim asgjë. Kuptohet se dihej tendenca që po iknin shumë gjermanë nga Çekosllavia dhe Hungaria dhe vinin drejt nesh, por nuk dihej që do ndodhte atë ditë”. Szego, një studiues i ri hungarez, e shikon i zgurdulluar. Është bullafiq dhe zakonisht flet zvargur, por këtë herë hesht. “Bërë mirë që iu ktheve?”-më thotë pas pak. Po ti?-pse nuk flet. ”Eh, -i harruan të gjitha këta”. Në maj të vitit 1989, Hungaria hoqi gardhin kufitar dhe mijëra gjermano-lindorë u arratisën në Perëndim në një vrimë të perdes së Hekurt, që nuk do mbyllej dot më kurrë. Kjo ishte koha e “Die Wende”. Mikhail, një koleg i Konsomolskoja Pravda i shikon cinik. Po Gorbaçovi, i thotë me një anglishte të rëndë. “Ai luajti rol, por…”, ia presin zyrtarët thatë.
Ndryshimi?!
Kujtoj një imazh, ku gjermanët kishin shkruar te muri: “Danke Gorbi”. Vërtetë, kjo s’ka rëndësi. Ata e bënë të gjithën. Ajo që dihet është se gjermanët s’humbën kohë. Më 18 maj 1990, të dy shtetet nënshkruan një traktat që do bënte bashkimin monetar, ekonomik dhe social. “Vertrag Über die Schaffung einer Währungs und Wirtschafts- Sozialunion zëischen der deutschen und der Republik Demokratischen Bundesrepublik Deutschland” quhet traktati që hyri në fuqi më 1 korrik 1990. Deutsche Mark zëvendësoi markën lindore, si monedhë zyrtare e Gjermanisë Lindore. Pikërisht, këtë kohë, na shpjegojnë për ditë të tëra zyrtarët e atëhershëm të dy pjesëve të Gjermanisë. Deutsche Mark kishte një reputacion shumë të lartë në mesin e gjermanëve të Lindjes. Perëndimi filloi menjëherë dhënien e subvencioneve për buxhetin, sistemin e sigurimeve shoqërore, kurse shumë ligje të Gjermanisë Perëndimore hynë në fuqi menjëherë në RDGJ. Kjo krijoi një kuadër të përshtatshëm për një bashkim politik duke pakësuar disi humnerën e madhe midis sistemeve politike, sociale dhe ekonomike të dy vendeve. Por bashkimi ndodhi pas negociatave të tjera mes RDGJ dhe RFGJ dhe katër fuqive të mëdha, që prodhuan të ashtuquajturën traktat “Dy Plus Katër “. Në një nga ditët e qëndrimit shikojmë nënshkrimin origjinal të tyre në arkivën e Ministrisë së Jashtme. Për fat, arkivi gjerman ruan disa nga mrekullitë diplomatike të ekzistencës së shtetit dhe aty ke mundësi të shohësh firmën origjinale të Bismarkut apo Car Aleksandrit dhe një sërë figurash të tjera, që kanë luajtur rol edhe për pavarësinë tonë. I jashtëzakonshëm është formulimi autokratik i Car Aleksandrit në një traktat, që gjermanët e ruajnë nën vulën e tij dhe elementët e tjerë të kancelarisë butaforike. Megjithatë vazhdoj e pyes, njeriun përgjegjës të arkivës për Bismarkun. Ai më tregon dhe ja ku më përshfaqet Kaizeri me një firmë të gjatë dhe tepër pompoze. E admiroj armikun për fuqinë e shtetit. Këto pak orë që “humbasim” në arkivin e Ministrisë së Jashtme të bëjnë me dije shumë nga gjërat që janë në zgafellet e perandorisë së madhe gjermane. O Zot, sa hapur funksionojnë. Po vërtet? Jo aq.
Terreni
Njeriu i arkivit është tepër i qeshur, por edhe i këndshëm kur na flet për kufizimet. Na udhëheq nën një sistem të tërë ashensorësh, dhomash të mbyllura dhe dyersh të frikshme hekur-betoni, ku ai drejtohet gati symbyllazi. Na lë drejt autoriteteve të tjera, që vijojnë shpjegime burokratike. Ndryshimi kish filluar më parë, që kur më 28 nëntor 1989-dy javë pas rënies së Murit të Berlinit-kancelari gjerman Helmut Kohl njoftoi një program 10-pikësh duke bërë thirrje për të dy Gjermanitë të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim drejt ribashkimit eventual. Koha kinse s’u propozua. S’kishte nevojë, pasi mes dy vendeve gjërat po lëviznin me shpejtësi. Ashtu si mund të merrej me mënd, në mars, ish komunistët u mundën në zgjedhjet e para të lira Gjermanisë Lindore. Një koalicion i madh u formua nën Lothar de Maiziere, udhëheqës i krahut të Bashkimit Demokratik të krishterë. Jutta Wachowiak, një nga aktoret më të famshme të Gjermanisë Lindore na tregon pathosin në vend dhe si reagoi opozita vendase. Qesh, sepse i duket sikur gjithçka është kështu. Bën gjestikulacione artistike me sytë në ajër. Është ende shumë e bukur dhe lozonjare, por jo aq e ditur sa të shpjegojë realisht ndryshimin. Mbetet diku kur e pyes dhe më shikon pa shprehje.
Ndërkohë ekonomia dhe infrastruktura e Gjermanisë Lindore përfundoi në kolaps.Si për ironi, deri më atëherë ekonomia e tyre konsiderohej si ekonomia më e fuqishme në bllokun sovjetik, por ndryshimi zbuloi themelet e rrënuara të atij sistemi. Rrënimin më të madh e solli marka, pasi të gjitha pensionet, pagat dhe kursimet e deri sasisë prej 6.000 markave të Gjermanisë Lindore u shkëmbyen në bazën një-me-një. Kjo dukej e dobishme për qytetarët e Gjermanisë Lindore, por jo për bizneset, shumë prej të cilave kanë shkuar në kolaps përballë ekonomisë shumë moderne të Gjermanisë Perëndimore. Kjo e fundit ka derdhur qindra miliarda në ndërtimin e banesave në Gjermaninë Lindore në formën e subvencioneve të drejtpërdrejta ose kredive. Rezultati rezultoi aspak optimist. Në epokën e post-bashkimit, qindra mijëra njerëz u zhvendosën nga zonat e neglizhuara në qendër të qytetit e pastaj sërish drejt ndërtesave para-fabrikate në periferi të qyteteve, të cilat shteti socialist kishte ndërtuar masivisht në vitet 1970 dhe 1980 dhe të cilat ishin shtrenjtuar pas rënies së Murit. E kujtoj sërish plakun që na ka tërhequr të gjithëve. Dr. Hans Modrow (ish-kryeministër) dhe Martin Gutzeit, një nga figurat kryesore të Opozitës e ndjek në logjikë, por na e shpjegojnë gjithnjë më ndryshe. Sfida në momentet e para të bashkimit ishte e egër. Dr. Hans Modrow flet qartë. Është marrë me politikë që më 1949, kur e kanë liruar nga burgu. Modroë e mori zyrën e primatit të vendit më 1989, bash në kohën më të vrullshme, dhe u largua pesë muaj më vonë me zgjedhjen e Dr. Lotharde Maizière. Sot, plaku është anëtar i Këshillit të Pleqve të partisë politike të Die Linke (E Majta). Dr.Lotharde Maizièreis e dëgjon, por ka variantin e vet. Ka pasur më shumë aktivitet dhe kulmi e arriti si shefi i partisë Kristian-Demokrate të Gjermanisë Lindore. Ai u bë kryeministër në zgjedhjet e para të vendit dhe kur u bashkuan dy Gjermanitë, ai u emërua Ministër për Çështjet Speciale. E la shpejt detyrën… Dy burrat janë krejt modestë. Të marrësh me mënd se çfarë figurash: Kohl i ka ofruar këtij plaku që kemi përballë, herr Hans Modrow, udhëheqësit të përkohshëm komunist të Gjermanisë Lindore në atë kohë, një bashkim monetar për të dy Gjermanitë. Ekspertët lindorë ishin të mërzitur nga propozimi dhe Karl Otto Pohl, atëherë-kreu i bankës qendrore të Gjermanisë Perëndimore, Bundesbank, paralajmëroi vendimin e tij kundër. Por Kohl s’donte të dinte. Hansi e shpjegon teknikisht, por edhe me një grimasë të lehtë: Ç’të bënim? Ky transformim është i njohur si “Wirtschaftswunder” (Çudi e ekonomisë). Helmut Kohl shfrytëzoi dobësinë ruse duke e tërhequr Gorbaçovin në anën e tij, sepse ishte i vetmi në atë kohë, që mund ta bënte këtë. Në të njëjtën kohë, Kohl përdori Bushin Plak për të bindur Thatçer dhe Miterand se një Gjermani e bashkuar nuk do të ishte e rrezikshëm, dhe kuptohet se ishte në gjendje të premtonte, pasi Gorbaçovi kishte të nevojshme në të kohë daljen nga kolapsi, me të cilën po përballej Rusia. Prof. Jens Reich e shpjegon me nota shumë filozofike por edhe me bazën e arsyetimit të një shkencëtari. E për fat, flet anglisht. Mbetet i qartë deri në fund. Më 1989, ky njeri i foli turmës me qartësi në demonstrimin më të madh të Opozitës të zhvilluar në Alexanderplatz në Berlin, duke e orientuar për ndryshimin. Kjo e bëri që më 1994, të nominohej për të qenë President i Gjermanisë. Modeli i bashkimit që përgatitën zyrtarët tanë ishte një model i vërtetë diplomatik, na thotë. A mund të kemi dyshim? Sigurisht jo. Faktet i hedhin poshtë argumentet tona të zbehta.
Diplomacia
Atë që na shpjegojnë për diplomacinë e atyre ditëve është vërtetë model dhe mund ta bëjnë zyrtarët e një vendi, që kanë udhëhequr dhe drejtuar problemet e botës. Dy variantet e Traktatit të Bashkimit u nënshkruan më 31 gusht 1990. Ministri i Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble West hodhi firmën për RFGJ-në, kurse Sekretari i Shtetit i Gjermanisë Lindore Günther Krause nënshkroi për RDGJ. Një javë më parë, Volkskammer, Parlamenti i Gjermanisë Lindore, miratoi një rezolutë në 23 gusht 1990 që kërkoi aderimin (Beitritt) e Republikës Demokratike Gjermane në Republikën Federale të Gjermanisë. Wiedervereinigungsvertrag” (Traktati i ribashkimit), në proces negocimi mes dy shteteve gjermane që nga 2 korrik të vitit 1990, u nënshkrua më 31 gusht 1990. Rezultati praktik i këtij modeli do të ishte se Republika e re Federale e Gjermanisë ishte palë sërish në të gjitha traktatet dhe të njëjtat Ligje themelore, që ishin në fuqi në Federatë do vazhdonin automatikisht në fuqi në territorin e zgjeruar. Ambasadorët që deri atëherë përfaqësonin dy vende të ndryshme tashmë mund të shërbenin për një vend. Dr.Hubert Thielicke, ish diplomat i Lindjes dhe Frank Elbe për Perëndimin na i shpjegojnë më thjeshtë, por shpesh me humor. A është e vërtetë se flisnit anglisht në takime?-e pyet dikush nga ne Elben. A je i çmendur?-ia pret ky.
Edhe pse Theçer kishte deklaruar mbështetjen e saj për vetvendosjen gjermane në vitin 1985, në javët e bashkimit ajo kërkoi një periudhë tranzicioni prej pesë vjetësh, gjatë së cilës dy Gjermanitë do të mbeteshin shtete të veçanta. Por zaret ishin rrokullisur. Në një përpjekje dëshpërimi, në fund të vitit 1990, Zonja thirri historianët dhe diplomatët në një seminar në Chequers për t’u kërkuar përgjigje për pyetjen: “Sa të rrezikshëm janë gjermanët?” Historianët ishin më konfuzë sesa ajo. Kohën e ngatërruar e përfaqësonte më shumë thënia e kryeministrit të Italisë Xhulio Andreoti: “Unë e dua Gjermaninë aq shumë sa që preferoj të shoh dy prej tyre!!!” Procesi po ecte marramendës. Pas marrëveshjes së Gorbaçovit në maj për anëtarësimin e vendit të bashkuar në NATO, sovjetikët ranë dakord se Gjermania do të trajtohej si një vend i zakonshëm, me klauzolën se ish-territori i Gjermanisë Lindore nuk do të kishte të dislokuara trupa të huaja të NATO-s apo armë bërthamore. Në këmbim, Kohl ra dakord për të zvogëluar madhësinë e forcave të armatosura të dy Gjermanive, të hiqte dorë nga armët e shkatërrimit në masë dhe të pranonte të ashtëquajturën linjë Oder-Neisse si kufi lindor. Ah, dhe më kryesorja: Gjermania ka rënë dakord të paguajë rreth 55 miliardë marka gjermane Bashkimit Sovjetik në dhurata dhe ndihma, në një kohë që vendi përpëlitej në vështirësi ekonomike shumë të mëdha.
…
Epilogu i kësaj që rrëfejmë mund ta mbyllë siparin më 31 gusht 1994, kur trupat e fundit ruse u larguan me një ngjarje që u shënua nga një ceremoni ushtarake në Parkun Treptow në Berlin. Ristrukturimi ekonomik i Gjermanisë Lindore ka rezultuar me kosto të madhe, sidomos për Gjermaninë perëndimore, kosto e paguar në formën e shumave të mëdha të parave në kuadër të Solidaritätszuschlag (Solidariteti shtesë), kuotë që shkoi për të rindërtuar infrastrukturën e Gjermanisë Lindore. Pak vite më parë, një zyrtar i SPD-së në një fjalim në parlamentin gjerman do të thoshte, “Gjatë një periudhe prej 20 vjetësh, ribashkimi gjerman ka kushtuar me një mesatare prej 100 miliard euro në vit. Pra, ne duhet të pyesim veten: “A nuk jemi ne të gatshëm të paguajnë një të dhjetën e kësaj të kemi unitet të Evropës?” Por a ja vlejti? Burrat s’kanë përgjigje. Për një gjë ia ka vlejtur: Jemi bashkë, thotë Jutta, që ndiqet nga kolegu i saj Jens Reich. Dy ish-kryeministrat largohen të qetë. Duket se në orët që kemi ndarë kanë lëshuar një pjesë të brengës së tyre, borxhit të madh të historisë ndaj vendit të tyre. Por vallë Gjermania çfarë borxhi ka ndaj Botës? Kjo s’ka përgjigje në Gjermaninë e bashkuar. Peter Brinkmann, ish-gazetari i BILD në Berlinin Lindor, që na shoqëron shpesh e ka një përgjigje, që ia thotë kinse duke qeshur, kolegut tonë koreano-jugor: “Mos u bashkoni! Jeni më mirë!” Kimi e shikon si guak. Ne po ashtu. Pranverë e ftohtë. Prill 2015.