Gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, e konsideruan të padrejtë pushimin e padisë së tyre ndaj gazetarëve dhe BIRN dhe e apeluan atë duke argumentuar se mungesat e përsëritura të avokatit të tyre në gjykatë janë të justifikuara ndërsa vetë Gjoni nuk e shihte të arsyeshme të paraqitej për të mbrojtur pretendimet e tij.
Nga Gjergj Erebara
Gjyqtari Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi apeluan vendimin e Gjykatës së Tiranës për pushimin e padisë së tyre ndaj gazetarëve Besar Likmeta dhe Aleksandra Bogdani dhe organizatës BIRN duke pretenduar se mungesat e përsëritura të avokatit të tyre në seancat gjyqësore ishin të justifikuara.
Në maj, Gjykata e Tiranës e pushoi çështjen pasi vërejti se përgjatë një viti shqyrtimi gjyqësor të çështjes, avokati i palës paditëse Ledio Braho pati munguar në pesë nga 11 seancat duke paraqitur vazhdimisht raporte mjekësore ose arsye të tjera për të justifikuar pjesëmarrjen.
Gjykata vlerësoi se kërkesat e përsëritura për shtyrje të palës paditëse po bëheshin shkak për zvarritjen e procesit gjyqësor ndërsa argumentoi se në mungesë të avokatit, pala paditëse mund të ishte paraqitur vetë në gjykatë, gjë që nuk e bëri.
Gjoni dhe bashkëshortja e tij argumentojnë në kërkesën për apelim drejtuar gjykatës së apelit Tiranë se mungesa në seancën e fundit më 31 maj e avokatit të paditësve ishte sërish e justifikuar me raport mjekësor “regjim shtrati” dhe për këtë arsye duhej të merrej parasysh.
Gjoni argumenton më tej se ai vetë nuk dëshironte të paraqitej në gjykim me arsyetimin se prania e tij në gjyq do të shkaktonte interpretim mediatik që mund të kërkonte padi të tjera të ngjashme.
“Në arsyetimin e saj gjykata ngre dhe predentimin se në gjykim duhej të ishin paraqitur vetë paditësit në mungesë të avokatit, por pikërisht këtu ku duhen marrë parasysh specifikat e mosmarrëveshjes, Gjykata nuk i merr ato,” shkruhet në kërkesën për apelim. “Nëse pala paditëse do ishte paraqitur vetë në gjykim dhe do të mbronte veten, interpretimi mediatik do të ishte i atillë që do të sillte si pasojë procese të tjera gjyqësore të ngjashme,” argumenton Gjoni.
Gjoni dhe bashkëshortja e tij ngritën në vitin 2017 dy padi, njëra kundër BIRN dhe gazetarëve të saj dhe tjetra kundër gazetës Shqiptarja.com dhe dy gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi, me pretendimin se raportimet e medias mbi pasurinë e tij familjare dhe hetimet e autoriteteve mbi këtë pasuri përbënin shpifje.
Gjyqi ndaj shqiptarja.com u mbyll në mars nga Gjykata e Tiranës për të njëjtën arsye, mungesë të avokatit të paditësve në seancën e pretendimeve përfundimtare. Gjoni e apeloi edhe atë vendim me argumentimin se avokati i tij edhe më 23 mars kishte qenë sëmurë, por nuk kishte pasur mundësi të dorëzonte në kohë raportin mjekësor.
Gjoni kërkon nga gjykata e Apelit rrëzimin e vendimit dhe rikthim të çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës.
Paditë e Gjonit ndaj BIRN lidhen me pretendimet se tre raportime të BIRN përbëjnë shpifje dhe i kanë shkaktuar atij dhe bashkëshortes vuajtje shpirtërore dhe kërkoi 7 milionë lekë dëmshpërblim nga BIRN dhe dy gazetarët. Ata kërkuan edhe 4 milionë nga Shqiptarja.com dhe dy gazetarët e saj.
Paditë e tij ndaj medias u kritikuan nga organizata vendëse dhe ndërkombëtare për lirinë e medias si një keqpërdorim me ligjin që dënon shpifjen dhe mjet për t’i bërë presion gazetarëve.
ma.me