Në një intervistë për Ora Neës, ish-kryeministri Sali Berisha, bën thirrje për revoltë popullore për largimin e qeverisë. Berisha thotë se vendi ndodhet në udhëkryq dramatik, ndërsa thotë se edhe dhuna për largimin e Ramës është e justifikueshme. Berisha komentoi debatin për kampin e refugjatëve, duke theksuar se kjo do ishte vetëvrasje për Shqipërinë pasi do e shndërronte në pëllëmbë e krim. Ish-kryeministri, tha se po shqyrton mundësinë e lenies së mandatit të deputetit pasi sipas tij tashme parlamenti ka rënë, ndërsa thotë së Partia Demokratike problemin me të madh të saj e ka tek organizmi.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, thotë se e vetmja rrugë për largimin e kryeministrit, Edi Rama, që e cilëson klikë që ka krijuar një narkoshtet, është revolta popullore përfshirë dhe dhunën.
Në një intervistë për Ora Neës, Berisha, thotë se vendi është në një udhëkryq dramatik, ku kanë rënë të gjitha institucionet. Ish-kryeministri është i bindur se Shqipëria nuk do hapë negociatat me Bashkimin Evropian pa kushte, e kjo tha ai, i është komunikuar nga miqtë ndërkombëtarë.
Refoma në drejtësi, tha ai, mbetet problemi kryesor i vendit tonë, ndërsa e cilësoi si grusht shteti. Vendi tha ai qëllimisht ka mbetur pa gjykata dhe për këtë krahas kryeministrit akuzon ashpër Ambasadorët Lu e Vlahutin. Duke komentuar debatin për kampin e refugjatëve, Berisha tha se pranimi do të ishte një vetëvrasje për Shqipërinë dhe do ta kthente vendin pëllëmbë e krim.
Në intervistë, Berisha komentoi edhe marrëveshjen e detit me Greqinë, ku tha se Rama po i bën Shqiperise aktin me te rende qe nga themelimi i saj. Ai foli per informator që ka brenda grupit negociator, ndërsa me beninje u shpreh se marrëveshja i është dorëzuar e gatshme kryeministrit Rama dhe nuk është lejuar negociimi i saj. Një paralajmërim kishte dhe për shtetin grek. Duke folur për marrëdhënien e opozitës me parlamentin, ai i qendron idesë së djegies së mandateve ndërsa tha se mendon lënien e mandatit.Përsa i përket Partisë Demokratike, ai tha se problemi kryesor i saj mbetet organizimi. Berisha komentoi dhe akuzat e ish-rojes së tij Izet Haxhia, i cili u ekstradua ditë më parë, duke theksuar se ai është një vrasës dhe sipas tij Rama e solli për ta përdorur politikisht.
Intervista e plotë
Zt. Berisha, opozita ka ngritur akuza të forta ndaj mazhorancës në lidhje me krimin…ku është sot opozita? Çfarë reagimi ka ndaj mazhorancës?
Mendoj se opozita gjatë dy muajve të fundit, ka ngritur një strategji proteste, e cila vlerësoj unë ka shënuar sukseset e para të rëndësishme, në kuptimin që Edi Rama kudo që shkon pritet me urrejtje, kudo që shkon pritet me protesta. Shoqërohet nga 800 deri në 900 policë dhe gardistë kudo dhe megjithatë, dalin dhe e bllokojnë për orë të tëra në hotel siç e bllokuan në Peshkopi, se lejojnë të shkojnë fare siç bënë në Klos dhe Burrel. Një kryeministër që ikën me bisht ndër shalë që takohet vetëm me rrogëtarë dhe puthadorë të tij dhe nuk takohet dot me popullin, mendoj se opozita ka shënuar në mënyrë të padiskutueshëm një rezultat të prekshëm në këtë drejtim. Vendi është sot në një kryqëzim dramatik. Është përdorur shpesh herë fjala rrugëkryq, por kësaj here është rrugëkryq dramatik. Kësaj here, Shqipëria e cila duhet të kishte hapur negociatat në vitin 2016 dhe jo vetëm që s’i hapi, por nuk po i hap dot as në 2018.
E keni analizë këtë zt.Berisha apo keni të thëna?
Kudo që shkoj unë dhe këdo që takoj..isha në Gjermani dhe takova plot miq atje. Nuk bëhet fjalë për hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë. Kjo është evidente dhe gjermanët kanë qëndrime ndër më të favorshme. Ka të tjerë me qëndrime fatale për procesin e integrimit të Shqipërisë. Është evidente. Nuk janë plotësuar në mënyrë kategorike kushtet. Është evidente që sot drejtësia është degë e ekzekutivit shqiptar. Është evidente që muajin dhe vitin që do të vlerësohej Shqipëria bëhet grushti i shtetit brenda shtetit. Asgjësohet Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha funksionet e saj i shkojnë indirekt Edi Ramës dhe qeverisë. Paralizohet qëllimisht Gjykata e Lartë me të ashtuquajturën reformë unike në botë. Unë ftoj çdo shqiptar sot që t’i shtrojë pyetjen vetes; a është Shqipëria vendi që duhet të vendosë modelin që nuk ekziston askund në botë në drejtësi. Këtë nuk e them unë, e tha prokurori amerikan i dërguar për të marrë pjesë në vetting. Një model që nuk ekziston askurrkund, është një model ourellian. Shkoni dhe pyesni në Maqedoni cili është modeli i reformës? Edhe atyre u kërkohet reformë, por dy modele absolutisht të ndryshme që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ata që e nisën që në fillim për ta parë drejtësinë shqiptare degë ekzekutivi, e bënë drejtësinë shqiptare degë ekzekutivi, por me këtë, ata i bënë gjëmën Shqipërisë. Zëvendësuan shtetin ligjor me narkoshtetin e Edi Ramës.
Është një reformë që është përkrahur shumë nga dy selitë diplomatike, BE dhe SHBA-të?
Ata kanë punuar me vendosmërinë më të madhe për projektin Soros. Të dy ambasadorët kanë punuar vendosmërisht për projektin Soros.
Pra janë edhe ambasadorët pjesë e këtij projekti?
Sigurisht që janë, nuk ka asgjë për t’u dyshuar. Por ata nuk mbajnë përgjegjësi për këtë. Ambasadorët mbajnë përgjegjësi para qeverive të vendeve të tyre me Kushtetuta. Në Kushtetutën e Shqipërisë ata nuk kanë asnjë përgjegjësi. Ndaj shtetit shqiptar, kanë Konventën e Vjenës. Këtu është problem i Edi Ramës. E di që ndonjëri prej tyre thotë në tavolina; hë mo se nuk është ndonjë gjë pse nuk është Gjykata Kushtetuese.
Thatë ambasador?
Absolutisht! Këtu, qytetarët shqiptarë janë të vetmit në Evropë që nuk shkojnë dot në Strasburg. De fakto janë përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Sepse duhet të kenë tre shkallët e gjyqësorit siç është ligji botëror i sistemeve të drejtësisë. Kurse këtu, Edi Rama pasi mori Prokurorinë e Përgjithshme, paralizoi Gjykatën e Lartë, mori Gjykatën Kushtetuese. Tani nuk i fsheh dot më. Nuk ka thes që i maskon me asgjë. Kjo është një nga veprat më të zeza të këtij vendi.
Zt.Berisha si dilet nga ky udhëkryq që ju thoni?
Dalja nga ky udhëkryq bëhet vetëm nëpërmjet një përmbysje në këtë vend dhe absolutisht rrugë tjetër nuk ka. Largimi një minutë e më parë me një revoltë të fuqishme popullore, të kësaj klike që narko-shtetin.
Edhe revoltë të dhunshme?
Revoltë që të largojë me çdo kusht këtë klikë dhe këtë narkoshtet.
Zt.Berisha, duket se opozita të gjitha aksionet i lë “rrugëve”…
Nuk gjykoj se i ka lënë rrugëve. Në këtë periudhë, opozita ka përshtatur një qëndrim; po lobon për hapjen e negociatave. Pse opozita po lobon për hapjen e negociatave? Fillimisht, bashkëbiseduesit tanë hapnin sytë; që këtej thoni se standardet nuk janë plotësuar dhe këtej thoni të hapen negociatat. Po të hapen, sepse hapja e negociatave bën të mundur një vëzhgim shumë më serioz të zhvillimeve. Mbi bazën e këtij vëzhgimi, një ndihmë shumë më eficente për rikthimin në Shqipëri të shtetit ligjor dhe funksionimit të ekonomisë së tregut dhe sistemit demokratik. Kjo është motoja që na bën ne kudo, kryetari i opozitës, deputetët, mbajnë këtë tezë në çdo rast. Natyrisht, opozita po organizon kudo me dhjetëra e dhjetëra protesta, por opozita është e vetëdijshme se në mënyrë absolute, zgjidhja e vetme është revolta e përgjithshme popullore. Do ta realizojë këtë opozita apo jo, do ta shohim në kohërat që vijnë.
Në gjykimin tuaj si politikanë me eksperiencë, ka aftësi për ta realizuar këtë?
Në gjykimin tim, i ka aftësitë dhe kushtet të gjitha ekzistojnë për këtë. Pa këtë revoltë, në mënyrë absolute, Shqipëria do të kalojë nga një dështim, në një dështim tjetër, nga një e zezë në një të zezë tjetër. Edi Rama këto ditë për të mbuluar dështimet, lidhjet e tij me krimin, drogën etj, po i bën Shqipërisë gjëmën me dy ndëshkimet më të mëdha ndoshta, njëri prej tyre që nga themelimi i shtetit shqiptar dhe tjetri në histori. Edi Rama këto ditë po bën gjithçka t’u shesë detin grekëve vetëm e vetëm të marrë hapjen e negociatave. Unë kam burime të brendshme, ka atdhetar dhe patriot në atë ekip, grupin negociator. Burra atdhetarë të cilët nuk e shesin interesin e vendit të tyre në atë mënyrë. Ata më kanë informuar qartë se deri para një jave është zhvilluar një takim me palën greke, në të cilën është dorëzuar marrëveshja e pa negociueshme nga pala greke dhe me urdhrin e prerë që nuk do të mund të përdorni fjalën “ekiti” se ne nuk e njohim. Nocioni i “Ekiti-së” është edhe themeli i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk do mund të përdorni fjalën koncesion. Merreni, kjo është marrëveshja. Shqiptarët duhet ta dinë se kompjuteri dhe programi me të cilin duhet të bëheshin matjet dhe përllogaritjet është blerë me datën 25 apo 26 maj. Gjithçka tjetër është bërë në favor të qeverisë greke, pa matje nga një faqezi, që kryeson grupin negociator, një Skapi, Skapi dhe spiuni Meçollari, të cilët kërcënojnë anëtarët e tjerë të ekipit që thonë haptas se ne jemi këtu për negocim dhe negociata nuk ka. Negociata thotë Skapi, një i pafytyrë që mendon se mund të shesë kollaj. Ai vërtetë mendon se mund të ikë në Greqi, por ndëshkimit nuk do t’i shpëtojë kurrë për aktin e tij. Çfarë tha Edi Rama me Ditzi Bushatin pardje? A e lexuat se çfarë argumenti dhanë? Gazetarja i tha mos e keni presion që po nxitoni kaq shumë? Jo thotë. Mirë ne po ta kemi presion, por Greqia presion e ka? Greqia po merr pasuri përrallore. Greqia do t’i mposhtë këta plehra për të grabitur detin. Greqia bën një gabim historik ndër më të mëdhenjtë, hap një konflikt të ri me Shqipërinë dhe shqiptarët. Greqia nuk mund të grabisë në këtë mënyrë pse gjen një zoograf të dytë si Edi Rama.
Zt. Berisha sa i besueshëm jeni ju në këto akuza, për faktin se ju kur ishit kryeministër, Gjykata Kushtetuese ju rrëzoi?
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dhe unë e respektova plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dy gjëra ju them shqiptarëve; ka një ekspertizë të bërë për atë marrëveshje. Nuk ka marrëveshje ideale, nuk ka marrëveshje që fiton plotësisht. Vetëm nëse pala tjetër është pa tru. Palë pa tru nuk ka. Për atë marrëveshje, Gjykata Kushtetuese tha se duhet të bëhet edhe një herë duke zbatuar parimin e ‘Ekitisë”. Çfarë ka thënë ekspertët ndërkombëtarë që i kanë në Ministrinë e Jashtme? Kompania ndërkombëtare që ka zbatuar marrëveshjen, ka thënë që kjo është një marrëveshje e bazuar në proporcion. “Proper agreement”, do të thotë e duhur si marrëveshje. Unë nuk bëra asnjë fjalë. I thashë palës greke, që marrëveshja u bë dhe marrëveshja dështoi. Sipas rregullit ndërkombëtar kur marrëveshja dështon shkohet në Gjykatë. Ky është rregulli. Nuk shkohet në Gjykatë pa bërë një marrëveshje. Ne e tentuam marrëveshjen, e cila e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese. Pala greke ra plotësisht dakord. Paraqiti një kërkesë që të mos shkojë në Gjykatën e Hamburgut por në Gjykatën e Hagës. Greqia ka vendosur që njeh vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Detit, Shqipëria akoma nuk ka firmosur por do firmoste. Të hapësh një kapitull konflikti se gjen dy spiunë në ekip dhe dy apatritë në qeveri, kjo përbën një vepër të shëmtuar. Grekët duhet ta kuptojnë se ka ikur koha kur copëtoheshin trojet shqiptare pa pyetur shqiptarët.
Zt.Berisha ju keni deklaruar se kryeministri Edi Rama në shkëmbim të çeljes së negociatave, do jetë pro pritjes së refugjatëve. Ju jeni kundër një kampi refugjatësh?
Absolutisht kundër! Nëse Shqipëria pranon të marrë ish-terroristë të ISIS që janë valët e fundit të refugjatëve, Shqipëria bën një vetëvrasje dhe Shqipëria bëhet gurë e krim e pëllëmbë e krim. Shqipëria po eksporton krim nga mëngjesi deri në darkë në mbarë Evropën dhe vendi i vetëm në Evropë që nuk mund të menaxhojë është Shqipëria. Së dyti, si u mbajtën refugjatët e Kosovës? 700 mijë prej tyre është mbajtur në familje shqiptare. Pa pyet prej tyre kush është i gatshëm të mbajë? Terroristë të ISIS të lidhur me ta? Asnjë them unë! Vetëm rrethi i Kukësit ka mbajtur 150 mijë qytetarë të Kosovës. Çfarë ishin vëllezërit tanë? Qëndruan tre muaj dhe u larguan. Brenda një jave janë larguar mbi 800 mijë shqiptarë nga Shqipëria në Kosovë. Kanë ngelur gjithsej 600 vetë tek një kamp atje tek pishinat që kishin probleme të tjera që nuk ktheheshin. Të krahasosh terroristët e ISIS me refugjatët e Kosovës do të thotë të jesh si Edi Rama që je i gatshëm të ndëshkosh me çdo çmim vendin tënd për karrigen tënde.
Të pretendosh të marrësh 600 mijë, e shndërron Otranton me qindra mjete skafesh që po vijnë edhe këto ditë në Shqipëri në varrezën më të madhe të Mesdheut në kohëra. I bëj thirrje qeverisë italiane që mos pranojë një nismë të tillë se në mënyrë absolute të gjithë ata me skafe do të vërshojnë drejt Italisë. I bëj thirrje vendeve perëndimore, Komisionit Evropian të mos pranojnë ofertën e Edi Ramës sepse aq sa realizoi armët kimike do të mund të realizojë këtë. Ne nuk jemi kundër emigrantëve. Ne nuk jemi për të mos ndihmuar njerëzit në nevojë. Por jemi se kjo do të ishte një barbari e vërtetë për emigrantët në Tiranë. Edi Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të marrë një “PO” për hapjen e negociatave pa kushte. Por Shqipëria nuk ka asnjë kusht të vërtetë për hapjen e negociatave.
Zt.Berisha me gjithë këto probleme që ju listoni për mazhorancën, a vazhdoni të mendoni dhe keni si opsion djegien e mandateve?
Unë gjykoj që kolapsi i plotë i reformës në drejtësi ka bërë çdo institucion tjetër fiktiv në këtë vend dhe të gjitha pushtetet i kanë kaluar Edi Ramës. Jo një herë, por të paktën 50 herë në ditë, unë mendoj që se pse rri në atë Parlament dhe nuk e di se cili do të jetë vendimi. Unë do të respektoj vendimet e opozitës. Por në kushtet e asgjësimit të drejtësisë dhe shndërrimit të saj në një degë të ekzekutivit, Parlamenti është një institucion i terrorit të pushtetit të Edi Ramës dhe një institucion që nuk meriton as 4 minuta të ekzistojë.
Do e propozosh sërish në grup?
Unë them që grupi nuk ka pse grupi të ndikohet nga unë. Grupi merr vendimet e veta, nuk ka pse ndikohet nga unë.
Zt. Berisha e di që e keni ndjekur debatin për sa i përket Bashkisë së Hasit me dekorimin e atentatorit të Azem Hajdarit. Keni një koment?
Është absolutisht fund e krye vepër e Edi Ramës, i cili udhëhiqet nga urrejtja e pakufishme atërore veçanërisht ndaj Azem Hajdarit. Edi Rama po të mos udhëhiqej nga urrejtja, Shqipëria do të hapte negociatat në 2016-n dhe në mos më shpejt. Edi Rama nëse do të kishte një emër të dytë, mund të quhej pa frikë misster urrejtja. Është njeri i pa karakter, i cili sa herë del i del fytyra e zezë në pah; jo nuk e bëra unë! Për urdhrin e tij, shqiptarët e mësuan një javë përpara se ai urdhër do të zbatohej në Has. Pasi u mor vendimi, ky ka pafytyrësinë dhe thotë se nuk dija gjë. Me këtë tregoi urrejtjen, cili është shteti që do. Edi Rama do shtetin e vrasjeve politike, shtetin e narko-shtetit, do shtetin ku dekorohen, të bëhen deputetë dhe ministra vrasësit. Ndaj do të ishte naive të mashtrohesha me atë që thotë ai nuk dija gjë.
Zt.Berisha, si përjetoni ju akuzat që drejtohen ndaj jush ish-badigardi Izet Haxhia?
Një vrasës më shumë në anën e Edi Ramës. Edi Rama siç është i lidhur me vrasësin. Ai është një njeri i dënuar me 25 vite nga drejtësia kur Berisha ka qenë në opozitë. Ai gjyq është zhvilluar gjatë pushtetit të socialistëve, me kontribut të prokurorëve ndërkombëtar dhe Partia Demokratike dhe Sali Berisha ka qenë në opozitë. Ky vrasës është i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi. Edi Ramës i duhet, ta mbajë me shnet. Një vrasës më shumë në krah të Edi Ramës.
Si një politikan që e njeh mirë opozitën, si të duket organizimi i Partisë Demokratike?
Organizimi mbetet një element themelor në PD. Në vlerësimin tim, në një organizim të fuqishëm, PD ka potencialin e madh për t’u zhvilluar.
Mendoni se PD mund të dalë pozitivisht në zgjedhjet vendore dhe ka premisa të kthehet në pushtet zgjedhjet e ardhshme?
Absolutisht mund të dalë! Varet nga vet PD dhe kompleksi i rrethanave. PD duhet të bëjë gjithçka për një kthesë të fuqishme në zgjedhjet lokale dhe për të shkuar drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme./Ora Neës.tv