Qendra shëndetësore numër 4 në Njësinë 9 dhe dispanceria, klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive e qytetit të Tiranës do të rindërtohen brenda vitit, në kuadër të projektit të Qeverisë për rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore në 2018 dhe 300 qendrave në 4 vite.
Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë dëgjesës publike në turin e llogaridhënies në Njësinë 9 në Tiranë, ku Manastirliu është edhe deputete e zonës.
“Po transformojmë sistemin shëndetësor dhe jemi të fokusuar në infrastrukturën e kujdesit parësor si asnjëherë më parë. 80 qendra shëndetësore do të rikonstruktohen vetëm gjatë vitit 2018, që do të thotë çdo 5 ditë investohet në një qendër shëndetësore”, tha Manastirliu gjatë takimit me banorët e Njësisë 9.
Ministrja e Shëndetësisë tha se në Tiranë rindërtohen 14 qendra shëndetësore këtë vit, një prej të cilave është qendra shëndetësore që ndodhet në Njësinë 9 si dhe Dispanceria e cila po ashtu ndodhet në këtë Njësi Administrative.
Manastirliu u ndal edhe te investimi në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
“Dy projekte madhore nisin këtë vit në QSUT. Ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme që do të zëvendësojë 6-katëshin ekzistues si dhe ndërtimi dhe pajisja e dy kateve të kirurgjisë së përgjithshme”, u shpreh Manastirliu.
Spitali i ri do të ndërtohet nga themelet brenda ambjenteve të QSUT, ku do të përqëndrohen të gjitha repartet e sëmundjeve të brendshme, duke filluar nga kardiologjia, hemodinamika, nefrologjia etj. si dhe do të bëjë bashkë shërbimin e mjekësisë interne, alergologjisë, të cilat së bashku me shërbimet ekzistuese do të kompletojnë profilin e nje spitali të mirëfilltë të sëmundjeve interne.
Bashkë me ndërtimin e strukturës së re të Kirurgjisë së Përgjithshme, investimi prej 25 milion euro që do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend, duke vendosur një standard të ri, me dy spitale moderne në QSUT.
Gjatë llogaridhënies publike me banorët e Njësisë 9, ku u ngritën kryesisht problematika që lidhen me legalizimet dhe hipotekat, morën pjesë edhe deputetja e Tiranës Blerina Gjylameti, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, kreu i Aluiznit Artan Lame, etj. /b.d