Të gjithë shtetasit që paguajnë kontributet për sigurimet shëndetësore, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimeve mjekësore falas si dhe rimbursim të barnave. Zbardhen sot përfitimet që mund të kenë pensionistët, invalidët e plotë apo dhe kategori të tjera individësh falë sigurimit shëndetësor. “Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3,4% e bazës për llogaritjen e kontributeve.
Për të punësuarit, kontributet paguhen, në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga punëdhënësi dhe në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga i punësuari. Si bazë për llogaritjen e kontributit shërben paga bruto e personit të siguruar”,-thekson Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky i fundit më tej bën me dije se kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë bazohet në konsumin për frymë të shërbimit shëndetësor, indeksuar me koeficientin e inflacionit.
Kategoritë
Çdo shtetas që paguan kontribut për sigurim shëndetësor, ose për të cilin paguan shteti, është i siguruar dhe përfiton nga skema e sigurimeve shëndetësore.
Karta e Shëndetit është dokumenti i vetëm që vërteton se personi është i siguruar në skemën e sigurimeve shëndetësore.
Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe pagesa e kontributeve përkatëse janë të detyrueshme për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Shqipëri, si të punësuarit; personat e vetëpunësuar; punonjësit e papaguar të familjes; apo dhe persona të tjerë ekonomikisht aktivë.
Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon, gjithashtu, kategoritë e personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të përcaktuara me ligj.
Në këtë kategori përfituesish bëjnë pjesë: personat që përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore; personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesën për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin përkatës; personat e regjistruar si të papunë- punëkërkues në Shërbimin Kombëtar të Punësimit; shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë; fëmijët nën moshën 18 vjeç; nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga veprimtari ekonomike; kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta; viktimat e trafikimit, sipas identifikimit të bërë nga strukturat e Ministrisë të Punëve të Brendshme si dhe personat e siguruar vullnetarisht.
Përfitimet
Sigurimi i detyrueshëm financon paketat e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm, ku përfshihen: vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike; vizitën falas në banesë kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor; ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike; si dhe trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike.
Gjithashtu, sigurimi i detyrueshëm mundëson edhe shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; rimbursim të plotë ose të pjesshëm të barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë.
“Më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 % të çmimit të barnave, por jo më shumë. Kategoritë si: pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë.
Kategoritë si: veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 % të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë”,-nënvizon FSDKSH. Pra, nëse jeni pensionistë, invalidë, veteranë, të punësuar, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijë, gra shtatzëna, persona që trajtoheni me ndihmë ekonomike, punëkërkues etj, me anë të kartës së shëndetit mund të përfitoni nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke filluar nga recetat e rimbursueshme, shërbimi te mjeku i familjes, te mjeku specialist, në qendrat spitalore, pra në të gjithë sistemin tonë shëndetësor publik.
Çfarë përfitohet?
Vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike, që financohen nga sigurimi shëndetësor dhe në respektim të sistemit të referimit;
Vizitën falas në banesë – kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor;
Ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike;
Trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike;
Shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë;
Rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë;
Më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 % (për qind) të çmimit të barnave, por jo më shumë.
Kategoritë si: pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë.
Kategoritë si: veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 % të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Përfituesit
Persona ekonomikisht aktivë:
të punësuarit;
personat e vetëpunësuar;
punonjësit e papaguar të familjes;
persona të tjerë ekonomikisht aktivë.
Personat ekonomikisht joaktivë:
personat që përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesën për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin përkatës;
personat e regjistruar si të papunë- punëkërkues në Shërbimin Kombëtar të Punësimit;
shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë;
fëmijët nën moshën 18 vjeç;
nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga veprimtari ekonomike;
kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta;
viktimat e trafikimit, sipas identifikimit të bërë nga strukturat e Ministrisë të Punëve të Brendshme.
Personat e siguruar vullnetarisht(gsh.al)
ma.me