Policia ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik veror.
Sipas të dhënave, gjatë muajit Qershor janë bllokuar dhe ndëshkuar me masa administrative nga Policia Kufitare nga Shëngjini deri në Sarandë 17 mjete lundruese, nga të cilat, 1 gomone dhe 16 motorë uji, pasi kanë rezultuar pa dokumentacion përkatës.
Shërbimet e Policisë Kufitare, të Delta Forcë, FNSH, të Policisë Rrugore, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme kanë nisur shërbimin në të gjithë vijën bregdetare për parandalimin e ngjarjeve kriminale si dhe për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve në rast nevoje.
Shërbimet e Policisë janë të alternuara nga toka dhe nga deti, ku mjetet lundruese të Delta Force dhe Policisë Kufitare kontrollojnë mjetet lundruese si dhe motorët e ujit për dokumentacionin përkatës që duhet të kenë për të dalë në det.
Ndërkohë përgjatë vijës bregdetare nga toka, punonjës policie me biçikleta patrullojnë në zonat ku pushuesit kanë filluar plazhin.
Policia Rrugore e mbështetur nga Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, por edhe nga FNSH apo Delta Force, janë të shtrira në të gjitha akset në shërbim të pandërprerë me qëllim krijimin e lehtësive në qarkullimin e mjeteve.
Javanews/a.ç