Ish-sulmuesi i Argjentinës, Hernan Crespo, i ka dalë në mbrojtje Lionel Messit, duke thënë se ai ka nevojë të ndihmohet nga bashkëlojtarët për ta fituar Kupën e Botës.
Superylli i Barcelonës përjetoi një ndeshje të vështirë hapëse në Botërorin Rusia 2018 të shtunën, duke e humbur penalltinë kur ekipi i tij po barazonte 1-1 me rivalin e Grupit D, Islandën, transmeton Gazeta Express.
Messi pati 11 goditje dhe nuk arriti të shënojë asnjëherë, duke vënë rekord negativ argjentinas në Kupën e botës.
“Natyrisht, ne presim më shumë nga ai, por Messi nuk është Maradona, i vetëm nuk mund ta fitojë Kupën e Botës”, tha Crespo.“Këtë së pari duhet ta kuptojnë të gjithë argjentinasit, dhe pastaj bashkëlojtarët e tij.
Messi është fenomen nëse luan në kushtet e duhura, si në Barcelonë. Ndryshe vuan”, theksoi ai.“Por, ma thoni: kush i ndihmoi atij kundër Islandës?
Di Maria nuk arriti ta kalonte qoftë edhe një kundërshtar tërë ndeshjen. Mesfushorët nuk e përkrahen Messin”, shtoi ai, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)