John Alite, shqiptari me origjinë nga Gjirokastra, i lindur dhe i rritur në Queens të NYC, nga i biri i një taksixhiu, tek i besuari i John Gotti, bossit të organizatës mafioze më të famshme në botë ka mbërritur dje në Kosovë.
Ish-mafiozi i familjes Gambino arriti që të dilte nga burgu dhe të bashkëpunonte me FBI-në për të shkatërruar “Cosa Nostra-n”, e pas kësaj të niste një jetë normale.
Ai gjithashtu shkroi dy libra, njërin ku tregonte mbi jetën e tij kriminale dhe tjetrin mbi mënyrën se si ndryshoi jeta e tij, të cilat u pasuan nga një film.
Në një prononcim për Klan Kosova, John Alite tha: “Unë nuk jam nga mafia italiane, unë jam shqiptar që në një kohë mori nën kontroll disa gjëra që ndodhën në Amerikë. Është e rëndësishme për mua që shqiptarët të dinë historinë e vërtetë çfarë ndodhi në libër e në film, ka dhe dëshmitarë të cilët i kam lënduar qëlluar apo vrarë ndonjë pjesëtar të familjes e të cilët flasin për ndryshimin e jetës time, çfarë kam bërë atëherë e çfarë po bëj tani.”
Në Shqipëri ai ka ardhur edhe herë të tjera, ndërsa në Kosovë për të është hera e parë. Ai ka treguar se do që të rinjtë ta shohin si idhull por jo për anën e errët të jetës së tij, por për “heroin” që është kthyer më vonë duke iu qëndruar afër të rinjve dhe duke i ndihmuar të qëndrojnë larg botës së krimit e të kenë një jetë normale.
a.ç