Shqiptarët që punojnë jashtë vendit po sjellin sërish më shumë para për të afërmit e tyre. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në tre muajt e parë të vitit, emigrantët kanë dërguar në shtëpi 147 milionë euro, me një rritje prej 9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Ky është niveli më i lartë i dërgesave që nga tremujori i parë 2013, ndërsa ritmet e zgjerimit janë përshpejtuar në muajt e parë të këtij viti.
Teksa remitancat kanë qenë një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës që pas viteve ‘90, duke financuar kryesisht konsumin e familjeve të varfëra, pas 2008-s ato hynë në një cilës rënës, duke reflektuar dobësimin e lidhjeve me familjet në Shqipëri, që normalisht fillon e ndodh pas një periudhë 10-15 vjeçare (emigrantët krijojnë familjet e tyre dhe dërgojnë më pak para tek të afërmit në Shqipëri). Kriza e shteteve fqinjë, sidomos në Greqi, ishte një tjetër faktor që ndikoi në këtë tendencë.
Por, pas vitit 2013 u konstatua që cikli filloi t’i kthehej sërish rritjes. Përveç rimëkëmbjes së fqinjëve, rigjallërimi i emigracionit ishte një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas ekspertëve. Në vitin 2015 u shënua një rekord i kërkesave për azil në BE, me mbi 66 mijë persona, për t’u përgjysmuar më pas në vitet në vijim. Në total nga 2013-2017 ka pasur mbi 140 mijë aplikonte për azilant në vendet e BE-së, sipas të dhënave që jan ëbërë publike nga Eurostat. Një pjesë e madhe e tyre arritën të qëndronin, duke filluar gradualisht punë dhe duke dërguar para në shtëpi. Vlerësohet se ata duan një periudhë rreth 2 vjeçare për t’u integruar dhe filluar një punë dhe më pas fillojnë e ndihmojnë të afërmit.
Të dhënat e INSTAT publikuar pak kohë më pare tregojnë se në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë. Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur një rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur.
Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen. /Monitor/ma.me