Nga Alfred Peza
Vrasjet e vajzave dhe grave nga burrat shqiptarë, nuk kanë kurrfarë lidhje me atë që mediat menjëherë nisin e i etiketojnë si “krime pasioni”. Fjala pasion rrjedh nga latinishtja, “passio” që do të thotë vuajtje, vetmohim, durim, ndjenjë, emocion shumë i fortë ndaj një personi apo diçkaje. Në qytetërime, religjione ose në filozofi të ndryshme, kontrolli i pasionit të orientuar qoftë nga vlerat e larta apo të ulëta, konsiderohet si një virtyt.
Fakti që kronikat e mediave tona janë të mbushura çdo ditë me lajme dhune, sulmesh dhe vrasjesh ndaj grave, vajzave, nënave dhe motrave tona, tregon se nuk kemi të bëjmë me raste të veçuara individësh të pushtuar nga demonët e çastit. Kjo tregon se kemi të bëjmë me tendencë, me një fenomen shoqëror. Një fenomen i cili në 27 vjet, ka prodhuar një listë prej qindra viktimash të një lufte të pashpallur. E cila nuk është gjë tjetër, veçse një luftë kulturash, civilizimesh dhe qytetërimesh brenda shoqërisë sonë.
Eshtë lufta e dy botkuptimeve të një shoqërie që udhëhiqet në njërë anë nga kultura neotomane, e nga ana tjetër nga kultura e lirisë, e hapjes dhe e qytetërimit perendimor. Eshtë lufta e të vjetrës, me të renë. E të shkuarës, me të ardhmen. Eshtë lufta e një populli të varfër e të mbyllur, të shtypur e të pushtuar nëpër histori, që po vrapon të kapi rrjedhat e modernitetit, duke shijuar frutet e lirisë dhe të hapjes së kufijve dhe mendjes.
Eshtë një luftë, rrënjët e së cilës janë të thella në historinë tonë të largët e të afërt. Një luftë e gjatë e cfilitëse, që vijon të mos bëjë kurrë armëpushim, duke shënuar çdo ditë viktima të reja, për shkak se ushqehet nga një model dhune. Shqipëria për fat të keq në jetën shoqërore, është një vend ku morali i forces, duket sikur ka triumfuar mbi forcën e moralit. E për rrjedhojë, çdo gjë përpara se të kërkohet të zgjidhet me virtyt, nis e zgjidhet me forcë, me dhunë, me pasione e lojëra të errëta e të ulëta, me filozofinë e asgjesimit të kundërshtarit e konkurentit apo të kujtdo tjetër, që nuk të bindet dhe që nuk bën atë që dëshiron më i forti.
Ashtu si varfëria shpirtërore është nëna e të gjitha varfërive, edhe dhuna verbale është nëna e të gjitha llojeve të dhunës. Eshtë dhuna verbale e elitës sonë politike, që bombardon çdo ditë me gjuhën e saj më shumë se kundërshtarin, jetën e gjithë qytetarëve të vet. Eshtë gjuha e luftës dhe e zjarrit që del nga goja e liderëve tanë. Eshtë gjuha e thënies së të fundit, të parën. Kjo mënyrë të funksionuari, ka pushtuar prej vitesh gjithë hapësirën tonë publike, jetën e secilit prej qytetarëve dhe të të gjithë vendit, duke u shndërruar në një kulturë dhe mënyrë të re jetese.
Dhuna permanente verbale, sharjet, fyerjet, denigrimet, kërcënimet, kacafytjet dhe konfrontimet fizike në rrjetet sociale, në tubimet dhe takimet publike, në mbledhjet e komisioneve dhe senacave plenare të Parlamentit, në konferencat e shtypit, në banaqet dhe debatet televizive, kanë krijuar psikozën e një lufte të pambarimtë. Një lufte që mbahet në këmbë, nga zbatimi në praktikën shoqërore i ligjeve të xhunglës, përpara atyre të shtetit ligjor si në popujt dhe shoqëritë e kultivuara e qytetëruara.
Eshtë më së shumti kjo filozofi, kjo kulturë, kjo mënyrë të funksionuari e jetese, kjo luftë e pambarimtë dhe e pakuptimtë verbale, që ushqen duke mbajtur në këmbë, të gjitha luftrat e tjera më të vogla, brenda shoqërisë sonë. Duke stimuluar dhe prodhuar në këtë mënyrë, modele të tjera, identike apo të shtrembëruara, që e shtrijnë kulturën e tyre të dhunës deri tek individi dhe tek qeliza bazë e shoqërisë, familja.
Eshtë koha tu biem fort këmbanave të një alarmi, që duhet të dëgjohen nga veshët e të gjithë shoqërisë. Eshtë koha e një debati të madh kombëtar dhe e një pakti historik shoqëror, që do të na çonte drejt shkuljes së të keqes, nga rrënjët. Për ti dhënë fund të gjithë sëbashku pas kësaj, luftës së kulturave, qytetërimeve dhe civilizimeve mes dy pjesëve të një shoqërie që me shumë mund e sakrifica, po mundohet ti iki mallkimit të vjetër nëpër histori, drejt një të ardhmeje të re.