Konservatorët e Brexit në Britaninë e Madhe janë të përgatitur të detyrojnë një votim mosbesimi për kryeministren Theresa May kur drafti për largimin nga BE të bëhet zyrtarisht një ligj i Kushtetutës së vendit. Deputetët e Partisë Konservatore janë të zemëruar me trajtimin që Theresa May po i bën negociatave të Brexit. Sipas mediave britanike, kryeministrja sot është paralajmëruar se “të gjitha kartat do të luhen” me udhëheqjen e saj, sapo legjislacioni i Brexit të sigurohet.
Mbështetësit e Brexit të dëshpëruar po shqyrtojnë një “grusht shteti” pasi frikësohen se Britania e Madhe do të mbetej me rregullat doganore të BE-së edhe në zgjedhjet e ardhshme. Por ata do të veprojnë vetëm pasi të votohet ligji për largimin nga BE-ja, i cili ka gjasa të ndodhë në javët e ardhshme.
Njëri prej tyre ka thënë: “Fokusi afatshkurtër është marrja e pëlqimit mbretëror për projektligjin para se të pushojmë për verën. Një fushëbetejë kryesore do të jetë që deputetët të angazhohen për t’i dhënë parlamentit një “votim domethënës” mbi afatet përfundimtare të marrëveshjes së divorcit. Pika tjetër mund të jetë mbi ministrat, të cilëve mund t’u kërkohet t’i tregojnë Parlamentit në vjeshtë se janë përpjekur të negociojnë një Bashkim Doganor”.
“Nëse i drejtohemi Kushtetutës unë nuk do të habitem nëse ndodh që të ketë edhe një votë mosbesimi ndaj kryeministres, diçka për të cilën unë do të kisha thënë se “nuk ka asnjë shans” të ndodhë, rreth një muaj më parë”, mësohet të ketë thënë një nga anëtarët e Konservatorëve. Ndërkohë një burim nga Kryeministria tha mbrëmë për ‘The Sun’ se, “pavarësisht të gjitha zhurmave, bazat nuk ndryshojnë”.
“Kryeministrja është e angazhuar për të arritur një marrëveshje të mirë për Brexit dhe për të ruajtur të pandryshuar tregun e përbashkët me BE dhe Bashkimin Doganor. Ne do të marrim kontrollin e parave tona, ligjeve dhe kufijve”, theksoi burimi, përgatiti Tema.