Kryetari i Parlamentit iranian, Ali Larijani i kërkoi europianëve për të dhënë sa më shpejt vendimin e tyre për të garantuar vazhdimësinë e marrëveshjes bërthamore, me paralajmërimin se koha e diskutimeve është drejt fundit.
Shtetet europiane të cilat janë pjesë vendimarrëse e marrëveshjes së vitit 2015 për të penguar Iranin të pajiset me armë bërthamore po përpiqen të shpëtojnë këtë tekst, mjaft i brishtë nga tërheqja amerikane e njoftuar muajin e kaluar nga ana e presidentit Donald Trump.
Ata duhet natyrisht të plotësojnë një sërë kushtesh të parashtruara nga Republika Islamike për të qëndruar në marrëveshje, në mungesë të Uashingtonit.
“Duhet të jetë e qartë që liderët iranianë nuk do të kënaqen me premtime pa fund të Europës”, pohoi Larijani në një deklaratë të bërë në Parlament e transmetuar në televizion.
“Kohës së negociatave po i vjen fundi dhe Europa duhet të shprehet nëse është në gjendje të ruajë marrëveshjen bërthamore. Ajo duhet të prononcohet qartësisht dhe shpejt pasi në të kundërt Irani do të kalojë në etapa të tjera, për çështjen bërthamore si dhe për çështje të tjera”, shtoi ai. (Tema)