Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të mbetet atraksioni më i veçantë turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.
Ajo ka mirëpritur 10.000 vizitorë për periudhën janar – maj 2018, nga 4700 vizitorë që kishte për periudhën janar – maj 2017.
Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.
Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot, shkruan Atsh.
Duke filluar nga viti 1968-t skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do te priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut ne kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
a.ç