Një shtetas shqiptar në Afrikë është vrarë me armë zjarri gjatë grabitjes së makinës së tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte (8 Qershor) në Mali, shtet në Afrikën Perëndimore. Sipas agjencisë franceze të lajmeve “AFP”, shqiptari i vrarë ishte punonjës i kompanisë “Ecolog”, nënkontraktor i Misionit të OKB-së në këtë shtet.
Sipas mediave, gjatë tentativës për të grabitur makinën ku mbeti i vdekur shqiptari, u plagosën edhe dy kolegët e tij, një kosovar dhe një maqedonas.
Në grabitjen e mbetur në tentativë, dyshohet se morën pjesë katër persona. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Misioni i OKB-së në Mali.
“Mëngjesin e sotëm në Gao, automjeti që furnizon me ushqime në Minusma, u sulmua nga persona të armatosur. Shoferi i automjetit u vra, kurse dy pasagjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Minusma në Gao. Minusma dënon ashpër këtë sulm”, tha misioni i OKB-së në Twitter.
Zyrtarisht nuk janë dhënë detaje të tjera për identitetin e shqiptarit të vrarë dhe dy personave të tjerë të plagosur. Kompania “Ecolog” ku punonte shqiptari, ka partneritet me OKB-në dhe agjencitë kombëtare e ndërkombëtare të mbrojtjes.
a.ç