Kur duhet edhe një javë nga fillimi i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik, Kupa e Botës që do të zhvillohet në Rusi nga 14 qershori deri më 15 korrik, ju sjellim parashikimet e atij që cilësohet si trajneri më i mirë i dekadës së fundit, portugezit Jose Mourinho.
Trajneri portugez, i cili këtë verë do ta ketë të zënë në rolin e komentatorit për një televizion rus, jep opinionin e tij se cilat skuadra do të fitojnë grupet dhe cilat do të pasojë si të dytat e tyre, duke pasur mundësinë që të vijojnë edhe më tej ëndrrën për trofeun më të lakmuar.
Mourinho e nis që në fillim parashikimin e tij me paralajmërimin se nuk dëshiron të jetë emocional, ndaj përzgjedhjet mund të jenë kontradiktore, kjo edhe për shkak të dyzimit mes dëshirës që futbollistët e tij të fitojnë turneun, por edhe të kthehen sa më shpejt në ekipin e Manchester United për sezonin e ri.
Le të shohim më poshtë parashikimet e “Special One”.
Grupi A: Uruguaji fiton grupin, Rusia organizatore del e dyta.
Grupi B: Spanja fiton grupin, Portugalia kualifikohet si e dyta.
Nga këto dy grupe, në raundin e 1/8-ave do të dalin çiftet Uruguaj-Portugali dhe Spanjë-Rusi.
Grupi C: Franca fiton grupin, Australia del e dyta.
Grupi D: Argjentina fiton grupin, Nigeria kualifikohet si e dyta.
Nga këto dy grupe, në raundin e 1/8-ave do të dalin çiftet Francë-Nigeri dhe Argjentinë-Australi.
Grupi E: Brazili fiton grupin, ndërsa Zvicra e shqiptarëve lë jashtë Serbinë.
Grupi F: Gjermania fiton grupin, Meksika kualifikohet si e dyta.
Nga këto dy grupe, në raundin e 1/8-ave do të dalin çiftet Brazil-Meksikë dhe Gjermani-Zvicër.
Grupi G: Anglia fiton grupin, ndërsa Belgjika e Januzajt del e dyta.
Grupi H: Senegali fiton grupin (surpriza e Botërorit sipas Mourinhos), Polonia kualifikohet si e dyta.
Nga këto dy grupe, në raundin e 1/8-ave do të dalin çiftet Angli-Poloni dhe Senegal-Belgjikë.
Mourinho e ndal me kaq parashikimin e tij, të tjerat ndoshta do t’i tregojë nga emisioni televiziv rus, por nga tabloja e hartuar prej tij mund të priten përplasje shumë të bujshme në raundin e çerekfinaleve.
Kështu, Portugalia kampione e Europës mund të ndeshet me “gjelat” e Francës, ndërsa Spanja mund të ketë një superpërballje me Argjentinën e Lionel Messit. Ndërkohë, Brazili nuk do të ketë mundësi të “hakmerret” ndaj Gjermanisë për humbjen turpëruese 7-1 të 4 viteve më parë, pasi do të mund të ndeshjet me “3 luanët” e Anglisë, ndërsa “Panzerat” mund të ndeshen me Belgjikën.
Po në kuadrin e parashikimeve hipotetike, gjysmëfinalet do të diskutoheshin mes Portugalisë apo Francës kundër Brazilit ose Anglisë, si dhe Spanjës apo Argjentinës kundër Gjermanisë ose Belgjikës.
Në finale, e garantuar është që do të jetë një supersfidë, qoftë Brazil-Argjentinë, apo edhe Francë-Gjermani, pa harruar opsionet e tjera, përgatiti Express. (b.an)