Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Amfissa të Greqisë, ku u vra me armë një vajzë 13-vjeçare rome.
E mitura u qëllua me çifte dhe ndërroi jetë në spital. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa policia greke u vu menjëherë në lëvizje. Në pranga ka rënë një 40-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet si i përfshirë në këtë krim, por jo si autor i vrasjes
Personi që qëlloi me armë 13-vjeçaren është identifikuar nga autoritetet greke dhe është shpallur në kërkim. Ai është një 34-vjeçar, i cili ishte së bashku me 40-vjeçarin shqiptar kur ndodhi ngjarja.Sipas mediave greke, autori është një kasap dhe u përfshi në konflikt me disa romë në kampin e këtyre të fundit. Pas konfliktit, ai u largua dhe u rikthye i armatosur së bashku me 40-vjeçarin shqiptar. 34-vjeçari nisi të qëllonte me çifte në kampin e romëve dhe plumbat zunë 13-vjeçaren shkruan Expres. Fëmija ndërroi jetë në spital. Nga të shtënat me armë u plagos edhe një vajzë tjetër rome.
Pas ngjarjes, dy personat braktisën makinën dhe u larguan në këmbë. Policia nisi menjëherë punën dhe i identifikoi të dy. Shqiptari u arrestua pas disa orësh si person i përfshirë në krim, por jo vrasësi i të miturës.
Pas ngjarjes së rëndë, romët në qytetin Amfissa u ngritën në revoltë. Ata dogjën makinën e autorit që e kishte braktisur në kampin e tyre, ndërsa thanë se do të bëjnë vetëgjyqësi dhe do t’i vënë zjarrin qytetit nëse vrasësi nuk arrestohet dhe të gjykohet sipas drejtësisë. Mediat raportojnë se policia tashmë ka ngushtuar rrethimin e kërkimeve për 34-vjeçarin, duke theksuar se është çështje kohe arrestimi i tij. Ndërsa, emri i shqiptarit të arrestuar nuk është bërë me dije./a.m.