Nga Alfred Peza
\Pas seancës së zhurmshme plenare të së enjtes që lamë pas, në Parlament, opozita jonë duket sikur e ka ndërprerë aktivitetin politik publik. Me nisjen e muajit të ri, e deri tani me nisjen e javës së re, si rrallëherë, udhehqësit e PD dhe LSI përveçse ndonjë statusi sa për të thënë nëpër adresat apo llogaritë e tyre në rrjetet sociale, nuk i sheh të shfaqen as nëpër selitë e partive, as në konferenca shtypi dhe as në dalje televizive.
Çështja e fundit që ka ngritur PD, ka qenë ajo që u cilësua prej saj si ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe familjarëve të tij, “e cila bëhet për interesa kriminale, duke përdorur strukturat e policisë së shtetit”. Lajmi fillimisht u botua në një media, e më pas “as u mohua, e as u pohua” nga Basha. Por më pas u denoncua publikisht e zyrtarisht nga PD.
Ai që në çdo shtet duhej të trondiste nga themelet gjithë sistemin shoqëror të një vendi, duke e bërë edhe skandalin e “watergate” në vitet ’70 në SHBA që çoi në dorëheqjen e Presidentit Nixon, të dukej banal përpara tij, çuditërisht sa më shumë orë kalojnë, aq më pak po përmendet nga ata që e denoncuan. E si për ti vënë kapak gjithë kësaj çudie, ky denoncim nuk gjendet i postuar as në faqen zyrtare të facebook-ut të Lulzim Bashës, personazhit kryesore të këtij “përgjimi” a “survejimi”.
Ky lajm u bë publik nga PD nëpërmjet Kryetarit të Grupit Parlamentar, Edmond Spaho më 1 qershor. Por postimi i fundit në faqen zyrtare të komunikimit të Lulzim Bashës me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, mban datën 31 maj, ora 12:13 pm. Pra, plot 24 orë përpara denoncimit të “skandalit”.
Pyetjet që shtrohen pas këtij konstatimi janë: Pse nuk gjendet denoncimi i PD në facebook-un e Kryetarit të saj, duke qenë se ai ishte objekti dhe subjekti i atij që u quajt fillimisht si një “skandal i madh politik”? Si është e mundur që lideri i opozitës, i cili postonte çdo ditë rregullisht disa aktivitete politike rresht në facebook-un e tij, prej gati 100 orësh i ka ndaluar të gjitha postimet?
Nëse Lulzim Basha dhe familjarët e tij kanë qenë të survejuar nga Policia e Shtetit duke i përgjuar dhe monitoruar të gjitha lëvizjet, pse nuk çohet në këmbë e gjithë PD, e gjithë opozita dhe të gjithë shqiptarët për të mbrojtur jo vetëm personin e katërt më të rëndësishëm nga ana protokollare të këtij shteti, kandidatin për Kryeministër nesër, por edhe vetë fatet e demokracisë, pluralizmit dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri?
Por Lulzim Basha që nga 31 maji, hesht. PD që nga 1 qershori hesht. Opozita hesht. Mediat pranë tyre, heshtin gjithashtu për një rast që nëse do të ishte i vërtetë, as nuk arrijmë dot të përfytyrojmë se çfarë do të kishin bërë gjatë këtyre orëve dhe ditëve, pasi ai u bë publik.
Edhe pasi Policia e Shtetit e përgënjeshtroi, duke e konsideruar këtë një lajm të fabrikuar për qëllime të mbrapshta, PD, Lulzim Basha, opozita dhe mediat pranë tyre heshtën. Çka të bën të besosh se lajmi nuk është i saktë, në rastin më të mirë. Lajmi nuk është i vërtetë, në rastin më fatlum. Pra, fakti nuk ekziston dhe për fatin e mirë të të gjithëve, Lulzim Basha dhe familja e tij, as janë përgjuar dhe as janë mbajtur nën survejim nga Policia e Shtetit.
Ky është një lajm i mirë edhe për qytetarët. Edhe për demokracinë. Edhe për të drejtat e njeriut. Edhe për Lulzim Bashën e familjen e tij. Edhe për PD. Edhe për opozitën. Edhe për Policinë e Shtetit. Edhe për mazhorancën. Edhe për median. Edhe për shtetin. Edhe për të sotmen. Edhe për të ardhmen. Ndaj, si i tillë, ky është një lajm që duhet përshëndetur nga të gjithë. Nga Lulzim Basha i pari.
Ja një mundësi shumë e mirë edhe për liderin e opozitës në këtë rast, që ta thyej heshtjen. Ta kurdisi orën politike që i ka mbetur në 12:13 pm, të 31 majit 2018 dhe të rinisë me një ritëm tjetër nga deri atëherë, muajin e ri politik. Për vete, për opozitën dhe për Shqipërinë.
/AlpeNews