Rezultatet e “Big Bell Test”, eksperimenti botëror i fizikës kuantike që në vitin 2016 përfshiu me shumë se 100 000 persona në të gjithë botën të pajisur me një video lojë dhe të analizuar nga 11 laboratorë të fizikës, përgënjeshtruan Ajnshtajnin. Të publikuar në revistën Nature, rezultatet qartësojnë se si atomet që janë në distancë ndërveprojnë mes tyre duke hedhur poshtë vizionin e Ajnshtajnit, që parashikon një univers të pavarur nga vëzhgimet njerëzore.
“Ajnshtajni është një prej themeluesve të mekanikës kuantike, teoria që përshkruan sjelljen e materies në nivelin e botës pafundësisht të vogël të përbërë nga atome dhe grimca. Megjithatë ai nuk i pranonte të gjitha aspektet e kësaj teorie dhe pretendonte se duhej të zhvillohej më shumë”, thotë fizikani, Fabio Sciarrino, përgjegjës i “Quantum Lab” në universitetin “La Sapienza”.
“Sipas Ajnshtajnit, universi është i pavarur nga vëzhgimet njerëzore dhe për këtë thoshte se Hëna ekziston ndonëse unë nuk e shikoj, por në botën pafundësisht të vogël nuk funksionon kështu. Njeriu me matjet që zhvillon në një eksperiment mund të përcaktojë realitetin dhe ta modifikojë”, shpjegon fizikani.
“Sipas këtij eksperimenti gjigant u vërejt se matjet në dy grimca fizikisht të ndara përkojnë plotësisht. Kjo sjell diçka shumë të habitshme. Ose matja e një grimce influencon menjëherë grimcën tjetër (ndonëse është shumë larg), ose veçoritë e vëzhguara nuk kanë ekzistuar kurrë realisht, por janë krijuar nga vetë matja”, theksoi Sciarrino, përgatiti “ATS”, nga ANSA. (b.an)