Ligji për strehimin, parashikon kategoritë e familjeve të cilat do të mund të përfitojën banesë. Ky ligj, që tashmë është botuar edhe në fletoren zyrtare përcakton edhe kufijtë e të ardhruave që duhet të ketë çdo familje, për të përfituar.
Ligji
Strehimi konsiderohet i përballueshëm nëse familja me të ardhura:
a) mesatare nuk shpenzon më shumë se 25 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm.
b) të ulëta nuk shpenzon më shumë se 20 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm.
c) shumë të ulëta nuk shpenzon më shumë se 15 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm. Në shpenzimet për strehimin nuk përfshihen shpenzimet për shërbime të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike. Strehimi i familjeve pa të ardhura sigurohet nga institucionet shtetërore, nëpërmjet njërit prej programeve të strehimit social të parashikuara nga ky ligj.
Strehimi konsiderohet i përshtatshëm për një individ dhe/ose familje atëherë kur garanton privatësinë, një jetesë të sigurt, të qetë dhe me dinjitet. Strehimi është i përshtatshëm nëse plotëson: a) hapësira të mjaftueshme banimi sipas normave të strehimit dhe standardeve të ndërtimit, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi. b) shërbime bazë, brenda mjedisit të banimit. c) qëndrueshmëri dhe siguri nga rreziqe që burojnë nga veprimet ose mosveprimet njerëzore, faktorët natyrorë e klimaterikë. ç) qasje në shërbimet publike, si furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, largimi i ujërave të ndotura dhe menaxhimi i mbetjeve. d) akses në shërbimet e punësimit, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social, në arsim dhe në shërbime të tjera komunitare. dh) qasje të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe fëmijët, duke lehtësuar shkallën e plotësimit të nevojave të veçanta të banimit për ta. Strehimi nuk duhet të çojë drejt veçimit të një grupi përfituesish nga grupet e tjera.
Kushtet për fitimin e statusit
Statusin e përfituesit nga programet sociale, sipas këtij ligji, e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët në momentin e aplikimit plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. b) kanë mbetur të pastrehë, si rezultat: i) i fatkeqësive natyrore. ii) i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë. iii) i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve. iv) nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë. c) familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj. Përfitojnë nga programet e strehimit social të këtij ligji edhe shtetas të huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin si “punëtor emigrant” dhe/ose “azilkërkues”. Të drejtën për të përfituar nga programi i banesave sociale të specializuara e kanë edhe të miturit nën moshën 18 vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastin kur bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë, për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre.
Rregulla të përzgjedhjes përmes sistemit të pikëzimit
Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi, i cili miratohet dhe publikohet për çdo program nga njësia e vetëqeverisjes vendore, bazuar në parimet e parashikuara në këtë ligj, si dhe kriteret e bëra publike përpara fillimit të procesit të aplikimit. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese me anë të sistemit të pikëzimit përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit, për çdo vit, të specifikuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore dhe për çdo program që zbatohet në ato, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të sigurojë listat e përfituesve brenda një afati dymujor, nga data e njoftimit nga ana e subjektit publik ose privat që ofron dhe realizon një nga programet sociale të strehimit, kur ky subjekt nuk është vetë njësia e vetëqeverisjes vendore. Marrëdhënia e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit që financon projektin përcaktohet me marrëveshje të posaçme. Hartimi i listës së përfituesve kryhet nga zyra përgjegjëse ose struktura e ngarkuar nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve dhe dokumentacioni përkatës vlerësohet nga komisioni i strehimit dhe miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
Njësia e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, për hartimin dhe miratimin e sistemit të pikëzimit bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që: i) nuk disponojnë banesë në pronësi. ii) banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje. iii) banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi. iv) kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore. v) familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor. vi) banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike.
b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi: i) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna. ii) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore. iii) familjet me më shumë se katër fëmijë. iv) bashkëshortët, mosha e përgjithshme e përbashkët e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi: i) personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave. ii) individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç. iii) familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve. iv) emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit. v) familjet e policëve të rënë në detyrë. vi) punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH). vii) punonjësit e repartit RENEA. viii) punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. ix) viktimat e dhunës në familje. x) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit. xi) anëtarët e komunitetit rom. xii) anëtarë të komunitetit egjiptian. xiii) të miturit në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, pas ekzekutimit të dënimit. xiv) vajzat nëna. xv) individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 3 të këtij ligji. ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.
Përcaktimi i kufijve të të ardhurave të individëve
Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100–120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
Blerja e banesave sociale në treg
Blerja e banesave sociale në treg, që i shtohen fondit të banesave sociale me qira, si rregull, realizohet në ato raste kur ndërtimi i banesave të reja kushton më shumë sesa vlera e banesave në treg. Banesa sociale mund të blihet nga tregu, përjashtimisht, kur vlera e banesës në treg është më e lartë se kostoja e ndërtimit, vetëm kur: a) vërtetohen kushte emergjente për strehim. b) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon truall për ndërtim banesash të reja. Kushtet, normat dhe standardet që duhet të plotësojnë banesat sociale me qira dhe procedura e blerjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
a.ç