Nga Dritan Xhemalaj/
Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur fillimisht nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm, z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, (Doktore e Shkencave Historike), sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e dymbëdhjetë, me titull “Bardhok Biba, vrasja që terrorizoi Mirditën”. I cili i kushtohet ngjarjes së largët të 7 gushit të vitit 1949, kur pas vrasjes së deputetit dhe sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, regjimi komunist në shenjë hakmarrje ekzekutoi 14 burra të pafajshëm, si dhe burgosi e internoi me dhjetra e dhjetra familje mirditore.
Ky cikël dokumentarësh që po trasmetohet me mjaft sukses dhe po ndiqet me interes të madh për vetë temat dhe ngjarjet që janë trajtuar aty, ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, duke sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të, kryesisht ngjarje që kanë të bëjnë me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga viti 1944 e deri në vitin 1991. Si p.sh. “Aleksandër Kondo, fati i trishtë i një ëndrre”, “Shpella e lirisë” (kushtuar kolonel Haxhi Hajdarit, ish-deputet i Kuvendit Popullor që kundërshtoi kolektivizimin dhe u ekzekutua me artileri në shpellën e Rrjollit në vitin 1963), “Elez Isufi dhe tragjedia e familjes Ndreu në regjimin komunist”, “Tre ditët e lirisë” (kushtuar revoltës së Spaçit në vitin 1973), “Demonët e Ginës, misteret e një ikje të koduar”, (Kushtuar skenaristit, libretistit e dramaturgut të talentuar
Shpëtim Gina, i cili në vitin 1974 humbi jetën në rrethana ende të pasqaruara në lumin Drojë të Mamurrasit, ku kryente zborin ushtarak), “Revolta e përgjakur e Qafë Barit”, “Trazirat e një kohe të vrazhdë”, (kushtuar të ashtuquajturit Grupi armiqësor në Ekonomi me në krye Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngelën e Vasil Katin),“Armiqtë e popullit”, (kushtuar të ashtuquajturit Grupi i agjentëve polakë”, “Kurthi i një sabotazhi të paralajmëruar” (kushtuar të ashtuquajturit Grupi sabotator i Kombinatit të Tekstileve Mao Ce Dun në Berat), “Dritëhijet e ngjarjes së Baldushkut” (kushtuar të ashtuquajturit, Grupi sabotator i lopëve të Baldushkut), “Bomba e gënjeshtërt e djemëve të Hasit”, (kushtuar ngjarjes së vitit 1984, kur gjatë një vizite të Ramiz Alisë në Has, u arrestuan një grup fshatarësh të asaj zone, të cilët u akuzuan se donin t’i bënin atentat Alisë dhe u pushkatuan dy prej tyre), etj.
Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, Kaloçi dhe Stafa, si dhe stafi i tyre realizues, në këtë dokumentar që është dhe i dymbëdhjeti i këtij cikli, kanë tentuar të rindërtojnë ngjarjen e 7 gushit të vitit 1949, kur në vëndin e quajtur Qafa e Valmirit, mbeti i vrarë nga një pritë, sekretari politik i Mirditës Bardhok Biba, i cili njëkohësisht ishte dhe deputet i asaj krahinë në Kuvendin Popullor. Kjo ngjarje e cila duhet thënë se është e njohur për publikun, pasi për të është folur dhe shkruar shumë, kryesisht pas vitit 1991, nuk ka ardhur kurrë në formatin e një dokumentari.
Për realizimin e tij, autorët e projektit kanë shfrytëzuar mjaft persona si nga familja e Bardhok Bibës, ashtu dhe familjarët e 14 të ekzekutuarëve për këtë ngjarje. Kështu në këtë kontekst vijnë me dëshmitë e tyre para kamerave, Marta Biba Doçi, 98 vjeçare, motra e Bardhok Bibës, e cila së bashku me tre djemtë e saj, vuajti për shumë kohë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, Marie Biba, e bija e Bardhokut që asokohe ishte fare e vogël, e cila tregon atë ngjarje mbi atë çfarë ka dëgjuar në rrëfimet e së jëmës, ashtu dhe për trajtimin që iu bë asaj nga vetë Enver Hoxha.
Një nga dëshmitë e rralla dhe mund të thuhet unike në mediat vizive, është dhe ajo e 106 vjeçarit Ndue Mëlyshi, ish-pjestar grupeve të rezistencës antikomuniste dhe një nga krerët kryesorë të Komitetit të Maleve, i cili gjithashtu është një nga katër desantët e parë të hedhur me parashutë në Shqipëri nga zbulimet e huaja në periudhën 1947-1949. Ndye Mëlyshi, i ardhur këto vitet e fundit në Shqipëri nga emigracioni i gjatë politik në
SHBA, jep dëshminë e rrallë lidhur me arsyet e vërteta të vrasjes së Bardhok Bibës nga Komiteti i Maleve dhe përse ai nuk votoi për vrasjen e tij.
Të tjera dëshmi lidhur me këtë ngjarje, vijnë nëpërmjet familjarëvë të 14 viktimave, si p.sh. Filip Gjonmarkaj, (babai i të cilit u dënua me 30 vjet burg për atë ngjarje dhe gjyshi i tij u ekzekutua me varje në litar), Gjon Bajrajtari, (babai i të cilit u pushkatua për atë ngjarje), Lek Shtija, (babai i të cilit u pushkatua për atë ngjarje), Frrok Mëlyshi, (gjyshi i të cilit u ekzekutua dhe trupi i tij u dogj me benzinë nga Forcat e Ndjekjes), Preng Shkurti, (xhaxhi i të cilit u pushkatua për atë ngjarje), etj persona dëshmitarë okular. Si p.sh. Preng Përgjetani, personi që e ka njohur nga afër Bardhok Bibën dhe para shtëpisë së tij te “Mani i Lal Ndreut”, Forcat e Ndjekjes grumbulluan të gjithë personat që do i pushkatonin dhe ata që i internuan. Po kështu lidhur me këtë ngjarje dhe analizat se përse ndodhi ajo që pati pasoja të rënda për Mirditën, flet para kamerave, historiani i njohur, Gjet Ndoj Tarazhi, (ish-drejtor i përgjithshëm i Arkivave të Shtetit) autor i disa librave për Mirditën dhe krimet e komunizmit.
Lidhur me të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga ngjarja e 7 gushtit të vitit 1949 që çoi në vrasjen e Bardhok Bibës dhe ekzekutimin e 14 burrave të pafajshënm, kanë tentuar t’i zbardhin dhe të hedhin dritë mbi to, dy bashkëautorët realizues të dokumentarit, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa (Doktore e Shkencave Historike) të cilët për vite me rradhë në fokus të punës së tyre, me shkrime, libra, studime, emisione dhe dokumentarë televiziv, kanë pasur kryesisht ngjarjet e periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Edhe dokumentari në fjalë, “Bardhok Biba, vrasja që terrorizoi Mirditën”, vjen si nëpërmjet dëshmive të personave të sipërcituar, ashtu dhe nëpërmjet dokumenteve arkivore të rralla të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë, ku vlen të përmëndet letra e shkruar nga Mehmet Shehu, asokohe në funskionin e Ministrit të Brendshëm, i cili dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, i bën me dije Enver Hoxhës, lidhur me numrin e personave që do arrestonte, internonte, burgoste dhe ekzekutonte për këtë ngajrje. Po kështu me mjaft interes është dhe dokumenti ku Bilbil Klosi, ish-Kryetar i Gjykatës Speciale Ushtarake në atë kohë, i shkruan Sekretariatit të Komitetit Qëndror, duke u bërë me dije se për ekzekutimin e 14 burrave për ngjarjen e
Bardhok Bibës, ai kishte folur në telefon me Komandantin (Enver Hoxhën) dhe kishte marrë aprovimin e tij.
Ky dokumentar që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, dhe është prodhim ekskluziv i këtij televizioni, vjen premierë të enjten, dt.31 Maj, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 1 qershor, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar. TemA/ma.me