Kreu i ALUIZN-it Artan Lame, ka publikuar pak minuta më parë listën e zezë të ndërtuesve, të cilët nuk do të mund të marrin më asnjë leje ndërtimi pa përfunduar më parë ndërtimet të cilat ata i kanë nisur kohë më parë dhe nuk i kanë përfunduar.
Asnjë subjekt ndërtimi që nuk ka mbyllur procesin e legalizimit për pallatet që ka ndërtuar më parë nuk do të pajiset me leje të re ndërtimi. Kështu u shpreh kreu i ALUIZNI-it, Artan Lame, i cili tha se bashkive, drejtorive të tatimeve, sipas përkatësisë, do tu çohet “lista e zezë”.
Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për rreth 1200 objekte të evidentuara të këtij lloji, dhe vetëm këto muajt e parë të vitit janë legalizuar 102 pallate.
“Janë mbi 1200 objekte deri tani të evidentuar dhe në procedura me ne dhe janë 102 pallate të legalizuara deri më sot me 8181 banesa, 736 mijë m2 ndërtim. Është një shifër shumë e lartë, janë mbi 8 mijë familje që kanë legalizuar shtëpinë dhe dyqanet e tyre në këto pallate të braktisura vetëm brenda këtij viti. Vetëm në Tiranë janë 85 pallate të tjera që janë në procedurë e sipër. Në ragn republike gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë rezultojnë me shkelje, që do të thotë që do të trokasin në dyert tona për t’u futur në procedurën e formalizimit të tyre”, tha Lame.
DEKLARATA E PLOTE
SITUATA ME PALLATET E BRAKTISURA
Vjet në janar Qeveria miratoi VKM 19/2017 “Per përcaktimin e rregullave të legalizimit te objekteve me leje ndertimi, ne te cilat jane kryer shtesat dhe/ose ne lartësi ose ndryshime të funksionit te hapesirave te objekteve shumekatëshe pa leje”, ose siç njihet nga publiku “Për pallatet e braktisura nga ndërtuesit”.
Pritja e qytetarëve ndaj kësaj nisme të qeverisë ishte e jashtëzakonshme.
Problemi është i lindur që prej viteve 1993-94 dhe vijon ende.
Për herë të parë, një qeveri shqiptare e ka marë përsipër këtë problem dhe filloi ta trajtojë.
Disa statistika:
Nr Nr. objektesh
1 Kërkesa banoresh/subjektesh ~1200 objekte
2 Vetëdeklarime subjektesh ~500 objekte
3 Objekte të filluara procedimi i legalizimit ~200 objekte
4 Objekte të legalizuara ~110 objekte
5 Subjekte të Listës së Zezë 341 subjekte TR2 + TRR
Përfundimisht, 102 objektet e legalizuara deri më sot, kanë 8182 banesa, me gjithsej 736.000 m2 ndërtim.
Ndërkohë që, 85 pallate të tjera janë në procedurë e sipër, kush më perpara e kush më ngadalë, në plotesimin e dokumentacionit tekniko-juridik.
Në rang Republike, afërsisht gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkitë, rezultojnë me shkelje.
Nga pikëpamja administrative, mund të them se ky proces, është një prej problematikave më të komplikuara që mund të ndeshet një administratë.
Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me institucionin tonë dhe vetëm me një apo dy dokumenta.
Ky proces përfshin një mori institucionesh të tjera si, Njësitë e Qeverisjes Vendore (ish bashkite e komunat, të cilat kanë miratuar këto leje ndërtimi), zyrat e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme, Institutin e Monumenteve te Kulturës (pasi jo rrallë ndeshemi me ndërtime të kryera në zona ansambël muzeale), ka të bëjë me sistemin gjyqësor, me përmbaruesit, me sistemin bankar, etj.
Dua të theksoj fort se, rastet kur subjektet ndertues nuk tregojnë interes, puna që duhet të kryeje ALUIZNI-t, eshte tepër e madhe krahasuar me numrin e punonjesve, mundësite logjistike si dhe ngarkesën e madhe që duhet te perballojnë.
Këtë e them se ndërkohë, nuk punojmë vetem për pallatet me leje të shkelur, por për të gjitha ndërtimet apo shtesat informale në përkatesi administrative.
Masa në vazhdim
Janë të shumta subjektet që vazhdojnë të luajnë si macja me miun, duke na sjellë vërdallë neve si institucion, duke sjellë vërdallë edhe qindrat e qytetarëve.
Dhe nga ana tjetër, shohim që një pjesë e këtyre subjekteve apo ndërtuesve, të paraqiten pranë Bashkive përkatëse dhe të aplikojnë sërisht për leje të tjera ndërtimi, për të marrë në qafë të tjerë pronarë trojesh e të tjerë qytetarë.
Në këto kushte, ne do të fillojmë t’i përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve, duke ju kërkuar që këto shoqëri apo këta persona, të mos pajisen me leje të reja ndërtimi, pa shlyer detyrimet dhe pa mbyullur procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndërtuara prej tyre.
Po e fillojmë këtë proces me Bashkinë Tiranë.
Unë kam këtu një listë me 341 subjekte /persona, për po kaq objekte, e cila po sot di t’i përcillet zyrtarisht Bashkisë Tiranë dhe do t’i kërkohet pikërisht kjo që thashë edhe më sipër: Asnjë leje ndërtimi e re për këto subjekte, pa përmbyllur pallatet e ndërtuara deri më sot.
Jam i bindur që do të gjejmë mbështetjen e Bashkisë në këtë proces, pasi mbyllja e këtij procesi, do të zgjidhë hallin e mijëra familjeve në Tiranë që vijnë vërdallë prej vitesh.
Nga ana tjetër, bllokimi i këtyre subjekteve do të ndihmonte që të mos lejonim që këta persona të bënin sërisht dëm, duke marrë leje të reja ndërtimi, pasi miu po kaloi një here nën mustaqe e bën udhë.
Ditë pas dite, ky proces i hartimit dhe dërgimit pranë bashkive të listës së zezë me ata që ju kanë nxirë jetën qytetarëve, do vijojë edhe qytetet e tjera.
Lista e Zezë e subjekteve, do ti dërgohet:
-Bashkive;
-Drejtorisë së Tatimeve;
-AZHT-së (Agjensia e Zhvillimit të Territorit;
-Shoqatës Ndërtuesve.
Në gjithë këtë proces, kemi të bëjmë me një matje force midis paligjshmërisë dhe nesh që po përpiqemi ta zgjidhim. Ju kërkoj qytetarëve të jenë në anën tonë dhe të na ndihmojnë.
Vazhdoni t’u bëni presion këtyre ndërtuesve.
Mos blini shtëpi prej tyre, pa mbaruar punë paraprakisht me dokumentacionin.
Nëse merrni vesh që kanë ndërruar emër subjekti apo administrator dhe vazhdojnë të aplikojnë në Bashki për leje të reja, denoncojini pranë nesh. Ujku ndërron qimen, por jo zakonin.
Përtej këtyre masave administrative, dëshiroj t’i drejtoj një thirrje ndërgjegjes së vetë këtyre personave.
Unë nuk arrij ta kuptoj se si është e mundur për një ndërtues që, pasi të mbledhë paratë nga qytetarët, të çajë ferrën e t’i lërë ata në mes të udhës?!
Nuk arrij ta kuptoj për një person, se si mund të shesë dy apo tre herë të njëjtin apartament?!
Si është e mundur që, edhe duke patur gjithë impenjimin tonë për t’i ndihmuar në këtë proces, të vazhdojnë të na sjellin vërdallë?!
Sidoqoftë, kjo është një thirrje për ndërgjegje, e cila si e tillë mbetet për t’ia drejtuar secili prej tyre vetes.
Ne si Institucion, dhe unë personalisht, do të vijojmë të jemi në anën e qytetarëve në këtë proces torturues, por të domosdoshëm.
Së bashku me qytetarët i kemi hyrë kësaj rruge dhe së bashku me ta do ta përfundojmë.
ma.me/javanews.al