Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një takim me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë prezantoi paketën e re fiskale. Ministri Ahmetaj deklaroi se ndryshimet e reja fiskale do të sjellin uljen e taksave për biznesin dhe do të miratohen në Kuvend brenda muajit korrik.
Ministri Ahmetaj tha se nga ulja e taksave do të përfitojnë bizneset me xhiro nga nga 8 milionë lekë deri në 14 milionë lekë, sektori i agroturizmit dhe ndërtimit. “Është një paketë e parë, e cila besoj se do të kalojë në qeveri dhe në Parlament deri në fund të korrikut dhe synon uljen e barrës fiskale për një sërë sipërmarrjesh dhe për një sërë sektorësh. Paketa fiskale e qershor 2018, pikë së pari, fillon me uljen e barrës fiskale për bizneset duke iu referuar tatimfitimit. Me këtë ndryshim, i cili shoqërohet edhe me një ndryshim procedural që i referohet tavanit, pra, 8 milionë, me iniciativë të Kryeministrit, pas një analize të detajuar të bërë në Ministri të Financave dhe Ekonomisë, ne materializojmë ndryshimin ku edhe fasha nga 8 deri në 14 milionë lekë xhiro, do të përfitojë një ulje të konsiderueshme të tatimfitimit nga 15-5 për qind”, u shpreh Ahmetaj.
Ministri i Financave, Ahmetaj, tha se nga ulja e taksave do të përfitojë edhe sektori i bujqësisë. “Po brenda të njëjtit ligj, kemi incentivimin e fermerëve të inkorporuar në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, sipas kuptimit të ligjit përkatës të fushës, duke reduktuar normën e tatimfitimit korporativ nga 15 për qind në 5 për qind. Gjithashtu, do të prekim ligjin për TVSH-në, pra, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e TVSHsë” synon normë të reduktuar të TVSH-së prej 6 për qind për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licencuar agroturistik.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për taksat vendore”, është përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e ndërtimeve që do të bëhen rishtas me qëllim agroturizëm nga personat e pajisur me certifikatë për veprimtari agroturistike, asaj që iu referova më sipër për përcaktimin që i është bërë në vendimin e qeverisë”, u shpreh Ahmetaj. Ministri i Financave tha se në paketën e re fiskale do të ketë lehtësi edhe për sektorin e turizmit.
“Gjatë një konsulte të fundit me të gjithë investitorët në fushën e ndërtimit, kemi përfshirë në paketë edhe përmirësimin e skemës së taksimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim, me qëllim taksimin e drejtë të pronarit të truallit dhe investitorët që operojnë në fushën e veprimtarisë së ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave. Ka qenë një kërkesë e përhershme nga Shoqata e Ndërtuesve. Pasi e gjykuam, e materializuam në propozimet që kemi bërë, të cilat janë sot për mendimmarrje nga ju dhe nga institucionet shtetërore”, u shpreh Ahmetaj.
TAKSA VENDORE
Taksa e ndikimit në infrastrukturë Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse edhe investimet e personave juridike “subjekt i certifikuar agroturizmi”, të kryera në fushën e agroturizmit, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin” dhe kur veprimtaria e tyre është në përputhje me kriteret dhe rregullat e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit.”
TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR
“5. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruara brenda strukturave, në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit”.
TATIMI MBI FITIMIN
“Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”
1.Fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15 për qind. Këmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate këmbimi, nuk përbën moment përllogaritjeje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. “Shkalla tatimore” Shkalla e tatimit mbi fitimin është: • 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej mbi 14.000.001 lekë në vit • 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej deri në 14.000.000 lekë në vit
Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike, sipas Ligjit Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Për personat juridikë, të cilët bazuar në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit”, zhvillojnë veprimtari agroturistike të klasifikuar si “agroturizëm”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 %, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”.
Të ardhurat nga lojërat e fatit
Të ardhurat nga lojërat e fatit tatohen me tarifën tatimore të përcaktuar në ligjet respektive të fushës: ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë ‘Oesterreichische Lotterien’, GmbH, nëpërmjet shoqërisë ‘OLG Project’, sh.p.k”. Nga qarkullimi gjithsej i realizuar, zbritet fillimisht pjesa e fituesve të lojërave të fatit. Mbi të ardhurën bruto që ngelet, llogaritet tatimi mbi lojën e fatit. Diferenca që rezulton pasi zbritet tatimi i lojës së fatit, përbën të ardhurën e tatueshme të subjektit, nga e cila pasi zbriten shpenzimet e njohura, aplikohet tarifa tatimore përkatëse në fuqi. /PANORAMA
ma.me