Autoritetet shqiptare kanë nisur një letërporosi për t’u lejuar marrjen në pyetje të 3 të paraburgosurve shqiptarë të grupit “Habilaj”, në kuadër të hetimeve për ish-ministrin Saimir Tahiri.
Seanca e marrjes në pyetje do të jetë ditën e mërkurë, siç konfirmoi për “Real Story” gazetari italian Dario De Luca.
“E reja e parë ka të bëjë me vizitën e prokurorëve shqiptarë që do vijnë në Katania për të marrë në pyetje tre nga perosnat shqiptarë, bëht fjalë për Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridian Sulaj”, tha ai në një lidhje LIVE.
Drejt Italisë pritet të udhëtojnë prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë çështjen. Një udhëtim ky që ka për objektiv parësor atë të sigurimit të informacioneve të nevojshme mbi hetimin e nisur në anën tjetër të Adriatikut, që ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i vendosur nën akuzë, e më pas në arrest shtëpiak, për të fituar ditën e sotme sërish lirinë, gjithçka për shkak të kushëririt të tij Moisi Habilaj, të arrestuar dhe nën hetim në Itali.
“Do merren në pyetje lidhur me hetimin në Shqipëri për ish-ministrin Tahiri, është nisur një letër-porosi për të marrë në pyetje tre personat e arrestuar”, vijoi gazetari De Luca.
Habilaj konsiderohet nga Prokuroria e Katanias, si dhe hetuesit e grupit policor të “Guardia di Finanza”-s, si truri i narkotrafikut dhe armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë. Trafik ky që ofronte dhjetëra milionë euro, të cilat do të ndaheshin në të njëjtën tryezë mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve siçilianë të “Cosa Nostra”-s.
Hetimi italian, i mbyllur zyrtarisht dhjetorin e shkuar, do të nxjerrë në proces gjyqësor 15 persona, ndërsa seanca e parë është caktuar për më 31 maj. Në disa përgjime, të zbuluara nga media italiane “MeridioNews”, trafikantët i referoheshin pikërisht politikanit socialist. Një lidhje e supozuar, të cilës i bashkëngjitet edhe një automjet i përdorur nga narkotrafikantët për udhëtime dhe i regjistruar nën emrin e Tahirit, i cili gjithsesi është betuar t’ia ketë shitur një kushëriri tjetër, të po të njëjtës familje, Habilaj.
Ata që do të merren në pyetje nga prokurorët shqiptarë do të jenë edhe Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Ky i fundit u bë protagonist në Shqipëri i një njoftimi, i cili rezultoi i rremë, se kishte pranuar të bashkëpunonte me prokurorët e Prokurorisë së Katanias.
“Deri para pak javësh Seiti ishte i burgosur si gjithë të tjerët. Nuk ishte i burgosur në Siçili por në Romë. Kishim folur për shpërngulje në Romë si bashkëpuëntor i drejtësisë, por kjo nuk u konfirmua, nuk rezultoi e vërtetë”, deklaroi gazetari italian./a.m.