Gazetari Aleksandër Çipa ka folur lidhur me koncertin këngëtarit grek Notis Sfakanaqis në Tiranë.
Çipa ka komentuar polemikat e shumta që janë shkaktuar duke shpjeguar se pse ndodhi kjo.
“Nobelisti grek Jorgos Seferis në vitet ’40-të e cilësonte Ballkanin si oaz të paradokseve.
Vizita gati e njëkohshme e një politikani të njohur dhe e një këngëtari gjithaq, është ndoshta edhe ilustrimi më i posaçëm i këtij konstatimi të bërë gati 80-të vjet më parë prej shkrimtarit të madh.
Trazime nuk shkaktoi prezenca dhe apo gjuha e politikanit grek në Tiranë, por përkundrazi, këtë e bëri këngëtari Sfakanaqis.
I pari, përcolli mesazhe të një valence të lartë, i dyti shkaktoi trazim dhe ndjenjën e plotë të një prezence provokative.
I dyti, pra këngëtari, në intervistën e parë që dha në median partnere, e nisi nga përgënjeshtrimi i pasinqertë i vetvetes.
Në të gjitha opsionet virtuale, gjenden deklarata raciste dhe të përbindshme antishqiptare të tij, madje nuk mund të fshihet lehtë cilësimi i shqiptarëve “plehra” në mitingjet e partisë më fashiste të Europës së sotme-Agimi i Artë.
Aleanca për llogari komerciale mes një medieje kombëtare dhe një këngëtari racist antishqiptar (edhe pse vetë përfaqëson një pakicë kulturore), përbën një provë shtesë për paradokset që konstatonte nobelisti Seferis në vitet 40 të shekullit të kaluar.
Por kalendari artistik i Notisit, ka triumfuar duke i bërë vend në skenën më të rëndësishme që ka atdheu ynë për evente të tilla në ditët e sotme.
Le të sillemi me të në mënyrën më të kulturuar. Unë do të dëshiroja ta ndëshkonin me injorim, personalisht refuzoj të jem në atë sallë.
Këtë arsyetim e bazoj konform logjikës së mishëruar edhe në një ese të hershme të shkrimtarit tonë Ismail Kadare në vitet ’80-të, ku, duke folur për dy popujt dhe kombet fqinjëruese, shqiptar dhe grek, shprehet se mes nesh ka mëri dhe ndeshje, por nuk ka luftra kulturore.
Sfida për ne, ndaj Notisit, le të ketë vlerën e një “note” pra shënimi; vlen si këngëtar por je “pleh” si nacionalist”, tha gazetari Çipa.
/b.d