E ardhmja e Neymar qartësohet edhe më shumë. Braziliani do të qëndrojë te Paris Saint-Germain, sipas asaj që publikon spanjollja “AS”, sipas së cilës, vendimi i 25-vjeçarit për të mos u larguar nga kampionët e Francës u mor pas një takimi të zhvilluar me trajnerin Thomas Tuchel.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, trajneri gjerman e pëlqen Neymarin dhe është i bindur se paraqitjet e sulmuesit në sezonin e tij të dytë te Paris SG do të jenë shumë më të mira.
Neymar e pati shumë të vështirë përshtatjen në Francë në vitin e tij të parë, e mendoi zgjidhjen më të lehtë largimin e tij nga PSG-ja. Një situatë të ngjashme, ai e përjetoi edhe në vitin e tij të parë te Barcelona, ku dëmtimet e penalizuan jo pak, duke bërë që sulmuesi të mendojë menjëherë largimin nga katalanasit, por në fund ai vendosi të qëndrojë duke u dashuruar me klubin, e sidomos me qytetin, aq sa mendoi për rikthimin aty vetëm pak muaj pasi ishte transferuar te Parisi.
Situata e krijuar vuri në lëvizje Realin e Madridit, me spanjollët që gjithsesi nuk u shfaqën shumë aktivë e këmbëngulës për blerjen e Neymarit, kjo edhe për faktin se drejtuesit e PSG-së deklarojnë me forcë se Neymar nuk është në shitje.
Ardhja e Tuchel ia bëri edhe më të lehtë brazilianit, të cilit i pëlqeu projekti i teknikut gjerman, duke vendosur për qëndrimin e tij në Paris dhe tashmë të fokusohet plotësisht për Botërorin e Rusisë./a.m.