Nga Alfred Peza
Për ndonjë që ende nuk e di, të shtunën e kësaj jave më 26 maj, PD dhe partitë e saj aletate, kanë vendosur që të bëjë protestën e radhës në Tiranë, si një mundësi për ti vënë kapak nëpërmjet një grumbullimi masiv, aksionit opozitar të radhës. Një aksion që këtë radhë vuri në qendër të saj ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, me anë të një audiopërgjimi të pretenduar ndaj vëllait të tij që rrekte të tregonte se ai ishte i “implikuar në trafik droge me bekimin e qeverisë”. Një aksion me anë të të cilit, synohej që me këtë “gur”, të vriteshin shumë “zogj” politikë:
Së pari, të jepej mesazhi për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar se ky fakt nuk është as i rastësishëm dhe as i veçuar, për aq kohë sa edhe paraardhësi i z. Xhafaj në këtë detyrë, Saimir Tahiri është nën akuzë zyrtare për të njëjtën çështje.
Së dyti, duke u goditur ai që konsiderohet si njeriu kyç i reformës në drejtësi në mandatin e shkuar qeverisës të PS dhe aktualisht, një nga ministrat më të rëndësishëm dhe nga më të suksesshmit e mandaitit të dytë, qeverisë Rama 2 i hiqej një nga “gurët e themelit”.
Së treti, duke qenë se çështja e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është një nga më sensitivet për ndërkombëtarët, në kuadër edhe të detyrave të shtëpisë që na kanë caktuar për integrimin europian të vendit, atëherë qeveria Rama do merte një goditje të fortë dhe çelja e negociatave do ishte e sigurtë që do shtyhej për në “kalendat greke”.
Së katërti, synimi nuk ishte thjeshtë dhe vetëm largimi i Fatmir Xafajt nga qeveria, por bashkë me të edhe rrëzimi i Kryeministrit Rama. Ose nëse ai do ia dilte të rezistonte, e sigurtë ishte se çarja brenda kampit socialist do të ishte aq e madhe sa zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato të përgjithshme parlamentare më pas, do të ishin një formalitet i fituar që tani nga opozita.
Dhe sëfundi, kjo goditje u kalibrua të ishte si ajo e shigjetës së famshme në legjendat dhe letërsinë e vjetër greke, direkt e në thembrën e “Akilit”.
Pasi në lojë u fut Prokuroria dhe çështja tashmë ka marrë tjetër rrjedhë ligjore, për shkak të hetimit zyrtar nga organi i akuzës, vihet re një dukuri interesante.
Sa më shumë protagonistëve i duhet të shkojnë përpara prokurorëve për të dhënë shpjegime dhe prova zyrtare për pretendimet e tyre, aq më shumë lidershipi i PD ka nisur që të distancohet nga gara e fillimit, se kush e kush të merte në dorë flamurin e “skandalit”.
Sa më shumë i afrohemi 26 majit, aq më pak argumenta, prova ligjore e investigimi jepen dhe aq më shumë është shtuar retorika politike me fjalë të përgjithëshme, nga ato që kemi 5 vjet që i dëgjojmë nga kjo opozitë, por edhe nga të gjitha opozitat tona këto 27 vjet për qeveritë.
Sa më shumë i afrohemi 26 majit, aq më shumë lojtarë të rinj futen në lojë, të cilët gjithmonë e më pak marin përsipër përgjegjësi vetjake.
Sa më shumë i afrohemi 26 majit, aq më pak flitet nga PD për Fatmir Xhafën dhe aq më shumë për rrëzimin e qeverisë.
Sa më shumë i afrohemi 26 majit, aq më shumë njerëz do të kërkohen që të dalin në shesh, sa më pak argument konkrete dhe reale do afrohen në publik. Sepse i gjithë ky mal akuzash që u ngrit, po kërkohet që të paktën të mos përfundojë në hiç, por diçka të mbetet.
E ajo që duket se do të mbesi deri më 26 maj, do të jetë po i njëjti grup opozitar njerëzish që kanë dalë çdoherë në shesh që i kas thirrur në protestë PD dhe opozita. E do ta bënin gjithmonë, jo vetëm në 26 maj, por edhe në 364 ditët e tjera të vitit.
Sfida e vërtetë e opozitës, nuk është kjo, por nxjerrja e popullit në rrugë. A e bën dot këtë opozita jonë pas rrëfimit të famshëm të “Babales”?! Nuk e besoj se këtë radhë, pyetja ka nevojë për përgjigje. Atë e di gjithkush tashmë. Madje, edhe organizatorët e prostestës së 26 majit vetë.
a.ç