Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua protestë mbështetëse për Palestinën.
Qytetarët të cilët u mblodhën pranë Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, me pankartat “Kudsi është i Palestinës”, shprehën mbështetjet e tyre për popullin palestinez dhe për Kudsin. Protesta e cila u organizua nga studentët turq, shqiptarë dhe boshnjakë që studiojnë në Shkup, filloi me leximin e Kuranit.
Pas saj studentët lexuan deklaratën në gjuhën turke, shqipe dhe boshnjake ku dënuan fuqishëm zhvendosjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Tel Avivi në Kuds, e cila sipas tyre, ndodhi duke e kundërshtuar të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha vendimet përkatëse të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ata theksuan se ky hap që injoron të drejtat legjitime të popullit palestinez nuk do t’i shërbejë paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. “Me vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kudsin, të mbështetur nga një shumicë e madhe e shteteve anëtare është dënuar ky vendim i Amerikës.
Përveç kësaj, protestat dhe demonstratat e organizuara në mbarë botën kanë treguar se ky hap jolegjitim i SHBA-ve është refuzuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me këtë vendim është i qartë dhe tregon se ky vendim është dënuar nga tërë opinioni publik”, theksuan studentët, përgatiti Tema.