Nga Rinasi, Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve sa i përket akuzave të PD-së mbi Agron Xhafajn.
Ai tha se ajo çfarë i është servirur shqiptarëve si autentike, është një manipulim i shëmtuar.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me kompaninë ku është bërë ekspertiza e audios, Rama tha se nuk i është drejtuar asnjë kompanie private, por një agjencie serioze.
“Emrin e agjencisë nuk mund t’ua jap. Ajo nuk ka vlerën e një prove. Provën duhet ta identifikojë Prokuroria, por për sa më takon, jam shumë i qartë dhe e përsëris se bëhet fjalë për një maskaradë dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe hedhur në erë negociatat negociatat. Besoj se dita e djeshme duhet t’ju ketë dhënë mundësinë të gjithëve të shikoni përmes Audio-Video SHPK se në çfarë derexheje është katandisur Partia Demokratike dhe çfarë mungese respekti ka ajo për inteligjencën e shqiptarëve” – tha Rama.
Ai ngriti pyetjen se selia blu ka pritur pikërisht këtë kohë për ta publikuar audion që pretendon se është një përgjim i Agron Xhafajt.
“Për mua nuk ka asnjë vlerë të diskutoj për atë dëshmi” – tha Rama duke iu referuar intervistës së Albert Veliut.
Kryeministri u shpreh se Fatmir Xhafaj do vijojë detyrën dhe se përgjigjen sa i përket moralit të tij, e ka marrë.
“Xhafaj do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës, detyrë të cilën e bën me përgjegjësi dhe rezultate shumë domethënëse” – tha Rama.
***
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Rinasi:
“Jemi në një fazë ku axhendat nuk përkojnë plotësisht. Axhenda jone e objektivave të integrimit me axhendën e BE të reformimit janë të ndryshme, ka pak qartësi sesi do të shkohet në rrugën e reformimit të BE. Ka qëndrime dhe qasje të ndryshme në BE. BE është në kulmin e një debati të brendshëm dhe kjo nuk i ndihmon objektivat dhe qëllimet tona. Jam optimist për një rezultat pozitiv në fund të qershorit.”