Ernest Gjoka është ndier i “tradhtuar” në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit, prandaj dhe vendosi të lërë para kohe skuadrën shkodrane. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta pranë trajnerit se, sido që të shkonte situata, ai kishte marrë një vendim për të mos u dorëzuar deri në fund.
Madje, që kur mori goditjen e parë në “Loro Boriçi”, pas asaj humbjeje 0-2 ndaj Luftëtarit, Gjoka pranoi të vazhdonte në drejtimin e skuadrës, me besimin se gjërat do të rregulloheshin, por mbi të gjitha për të treguar karakter dhe çuar deri në fund misionin që kishte marrë përsipër. “Kur asnjë nuk qëndronte, unë ndenja. Pse të mos vazhdoj deri në fund?”, mësohet t’u ketë thënë Nesti miqve të tij pas ndeshjes me Kamzën, ku Vllaznia nuk arriti të mposhte një rival direkt.
Mirëpo, gjatë rrugës, trajneri mësohet se vuri re shenja dorëzimi të një pjesë të rëndësishme në klubin shkodran, duke filluar nga zyrtarët e lartë, për të mbërritur deri tek lojtarët. Humbja 2-0 ndaj Partizanit u vuri kapakun. “Mjaft më! Unë nuk mund të vazhdoj i vetëm”. Në fakt, trajneri nuk ka pranuar të komentojë pse vendosi të jepte dorëheqjen vetëm dy javë para përfundimit të kampionatit. Në ditët e fundit është telefonuar nga dhjetëra gazetarë dhe media televizive, por ka preferuar heshtjen.
Gjithsesi, të njëjtat burime i kanë treguar dje gazetës se dorëheqja nga drejtimi i skuadrës në momentin më delikat erdhi për vetë faktin se Gjoka e kuptoi se skuadra nuk i përgjigjej për atë mision të përbashkët që kishte: mbijetesën në Superiore. “I vetëm nuk kam se çfarë të bëj. Lufta duhet bërë nga të gjithë bashkë dhe skuadra të japë gjithçka ka”. Ky mendohet të ketë qenë arsyetimi pas dorëheqjes nga trajneri në bisedat që ka pasur me drejtuesit më të lartë të klubit.
MESAZHI
Përpara ndeshjes me të kuqtë, Gjoka u dërgoi një mesazh futbollistëve. “E di që jeni të mërzitur e të stresuar, e di që jeni nën presionin e opinionit, e di që kjo situatë është jo pozitive…! Por, së bashku kemi kaluar shumë situata të vështira këtë dimër; kemi luftuar e sakrifikuar gjatë gjithë kohës; kemi humbur, kemi fituar, kemi barazuar, por për asnjë moment nuk kemi lënë luftën përgjysmë. Ne do të vazhdojmë luftën. Një burrë e humb luftën, kur i pushon zemra. Prandaj, kam besim se ne do t’ia dalim, e padiskutueshme!”. panoramasport