Çështja e vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte në fokus të emisionit “Real Story” në Vizion Plus këtë të hënë.
Referuar akuzave të opozitës se Xhafaj ka “falsifikuar Kodin e procedurës Penale në nenin 491 për ekstradimet për të mbrojtur vëllain”, ish-ministri i LSI Ylli Manjani ka dhënë një deklaratë ndryshe nga krahu politik ku bën pjesë.
Ai ka thënë se nuk e beson këtë gjë.
“Ka shkuar deri aty sa të mendohet se edhe ligjet u bënë për të mbrojtur vëllanë, unë nuk e besoj këtë gjë në fakt. Ligjin nuk e ka shkruar Xhafaj, është shkruar për gjithë natën në Fakultetin e Drejtësisë nga ekspertët e nivelit të lartë që quheshin në atë kohë”, ka deklaruar Manjani.
Ai tha më tej se Xhafaj nuk mund të mbajë përgjegjësi ligjore për ato që bën vëllai i tij. Sipas Manjanit përgjegjësia është vetëm morale.
“Zoti Xhafaj ka një përgjegjësi morale, por nuk mund të mbaj përgjegjësi për vëllain. Natyrisht nuk mund të jetë Ministër i Brendshëm, se këtu flitet për trafik droge, që ka të bëjë me punën e Ministrit të Brendshëm. Ministri Xhafaj duhet të japë dorëheqjen, është çështje morali. Nëse ai nuk e bën duhet ta shkarkojë Rama. Përgjegjësia politike është, është evidente, po flasim për figurën e Ministrit të Brendshëm”, tha Manjani./a.m.