Mazhoranca ka reaguar ditën e sotme përmes Taulant Ballës sa i përket një përgjimi që Partia Demokratike pretendon se lidhet me vëllain e ministrit Xhafaj.
Numri dy i PS ngriti pyetjen nëse materiali i servirur nga selia blu është autentik.
Në fjalën e tij, Balla tha se në këtë rast ose duhet të ndëshkohet i akuzuari, ose akuzuesit në rast se ata janë regjisorët e asaj videoje me zë, por pa figurë.
“Dëgjuam me vëmendje pretendimin e opozitës për akuzat ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt. Nëse audio është e vërtetë këmi të bëjmë me një provë që implikon ligjërisht vëllain e ministrit dhe vetë ministrin moralisht.
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me provë apo baltë të opozitës për të penguar çeljen e negociatave. Kësaj duhet t’i japë përgjigjë prokuroria. Poseduesit e materialit duhet të depozitojnë në prokurori materialin.
Prokuroria të fillojë hetimet kryesisht. Për ne askush nuk është mbi ligjin. Shpresoj që prokuroria të hetojë mënjëherë çështjen.
Duhet ose të ndëshkohet i akuzuari nëse ka prova, ose akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqje të turpshme”, deklaroi Taulant Balla. /b.d