Vonesa e ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka paralizuar punën e Shkollës së Magjistraturës.
Parashikimi i dispozitave kalimtare që rregullonte organizimin e provimit për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitet 2016-2017 dhe 2017-2018, tashmë është kryer.
Për vitet në vijim, nuk ka asnjë dispozitë rregulluese tjetër në ligj përveç dy këshillave që nuk janë ngritur ende, që të mundësojë hapjen e provimeve dhe shpalljen e fituesve të rinj për vitet e ardhshme.
Kjo ka detyruar dy deputetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja dhe Klotilda Ferhati të depozitojnë një projektligj në Kuvend që ndryshon nenin 170 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili parashikon që numrin e kandidatëve për magjistratë vit pas viti e përcakton Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Duke qenë se koha kur këto dy këshilla do të ngrihen nuk mund të parashikohet, projektligji i paraqitur nga deputetët Manja dhe Ferhati kërkon që Shkolla e Magjistratures te organizoje jo me vone se muaji tetor të vitit 2018, konkursin per pranimin e 25 kandidateve per magjistrate per vitin akademik 2018-2019, dhe te dyfishit te ketij numri per vitin akademik 2019-2020.
Gjithashtu, ky propozim kërkon që të ndryshohet neni 160 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që përcaktojnë organet kompetente për të emëruar prokurorët dhe gjyqtarët e rinj të sistemit.
Sipas ligjit, kështu siç është aktualisht, detyrën për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj e kanë Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Gjyqësor.
Duke qenë se këto dy këshilla nuk janë formësuar ende, deputetët socialistë kërkojnë që emërimet e magjistratëve që diplomohen këtë vit t’i bëjë Prokuroria e Përgjithshme si Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Në dy vitet e ardhshme, sipas kësaj dispozite duhet të diplomohen 45 gjyqtarë dhe 30 prokurorë.
a.ç