Profesor. Dr. Devrim Güngör prej shumë vitesh ka qenë avokati i Izet Haxhisë në Turqi. Ai është njeriu që ka ndjekur hap pas hap kalvarin e gjatë të procese gjyqësore për ish truprojën e Sali Berishës.
Në një intervistë për Shqiptarja.com avokati Güngör shprehet se qeveria turke i tha po ekstradimit, duke përdorur një letër garanci të qeverisë Berisha të vitit 2007, që sipas tij është e vjetër.
Avokati thekson se nuk ka një letër të re me garanci lëshuar nga Ministria e Drejtësisë drejtuar prej Etilda Gjonajt.
“Nuk kemi marrë ndonjë dokument të ri nga qeveria aktuale. Por kjo është një letër garancie shumë e vjetër. Izet Haxhia këtu është burgosur dy herë. Në 2006. Pra, në 2006, ata kanë bërë një kërkesë, por atëherë Izet Haxhia nuk u ekstradua”, thotë avokati.
Megjithëse Izet Haxhia ngulmonte të kthehej dhe të përballej me drejtësinë shqiptare, ashtu siç edhe e bëri, avokati i tij turk e ka quajtur ekstradimin jo të ligjshëm nga shteti turk, Devrim Güngör shpreh një tjetër shqetësim që lidhet drejtpërdrejtë me jetën e Izet Haxhisë.
“Ka dhe një rrezik për të. Ka shumë mundësi që tashmë Izet Haxhia të jetë në një situatë të pafavorshme. Nuk e di se në cilin burgun e mbajnë tani në Shqipëri. Ka shumë mundësi që situata e tij të jetë e pafavorshme”, thotë ai.
“Për mua, i gjithë ky është një proces politik. Ka politikanë që rrezikojnë diçka prej tij. Politikanët nuk u japin shumë rëndësi ligjeve të zbatueshme aktuale”, vijon ai./a.m.