Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë sot 30 banesa sociale për një grup familjesh në Shkozë. Në fjalën e tij Veliaj tha se vetëm në pak kohë Bashkia e Kryeqytetit ka bërë punën që nuk u bë për 4 vjet.
Kryebashkiaku i bëri apel ndërtuesve të ulin çmimet e apartamenteve që nuk i shiten.
“I bëj apel Shoqatës së Ndërtuesve: ulni çmimet! Ne nuk ia caktojmë dot çmimet privatit sepse jemi në kapitalizëm, por ne do të propozojmë që taksën e pronës, këta ndërtues ta paguajnë edhe për ata apartamente që nuk i kanë shitur”, tha Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku deklaroi se Bashkia e Tiranës do të punojë gjithmonë për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të ecin përpara në jetë.
“Duhet ta ruajmë këtë lagje dhe t’i tregojmë një model të ri bashkëjetese Tiranës. Ju kërkoj që këtë ambient model dhe harmoninë që keni si fqinj të rinj, ne ta ruajmë si gjënë më të shtrenjtë për qytetin tonë”, tha Veliaj para se të niste shpërndarjen e banesave.
Sakaq, gjatë shpërndarjes së banesave sociale, pjesë e banorëve që përfituan ishte edhe këngëtari Tonin Tërshana.