‘Një kriminel më shumë në krah të Edi Ramës, ministria dhe Rama i kanë premtuar hapjen e çështjes, le t’ia hapë, të mbetet brenda’. Kjo ishte deklarata e parë e ish kryeministrit Sali Berisha, kur Izet Haxhia kishte më pak se 60 minuta që kishte prekur tonën shqiptare pas 19 vitesh.
Për këtë deklarim, se Haxhinë e solli në Shqipëri Edi Rama, paraardhësi i tij Berisha nuk solli asnjë provë të mbështetëse këtë pohim.
Por cila është e vërteta e ekstradimit të Izet Haxhisë dhe a ka një prapavijë politike siç edhe pretendon Sali Berisha?
Report TV disponon ekskluzivisht dokumentin në formë garancie për shtetin turk, që lejoi ekstradimin e Izet Haxhisë disa ditë më parë, dokument i cili tregon se përpjekja për ta ekstraduar kanë nisur që në vitin 2007 kur kryeministër ishte zoti Berisha.
Bëhet fjalë për këtë dokument me mbishkrimin sekret hartuar nga Ministria e Drejtësisë datë 06.04.2007 dhe mban firmën e ish ministrit të drejtësisë Ilir Rusmali.
Dokumenti i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Turke, përmes të cilit ministri i atëhershëm në detyrë Rusmaili thotë se: “në bazë të Konventës Europiane të Ekstradimit, duke iu referuar faktit se shtetasi Izet Haxhia është gjykuar në mungesë në bazë të nenit 504/2 të Kodit Shqiptarë të Procedurës Penale, garanton paraprakisht në emër të shtetit shqiptarë, respektimin e të drejtës së rigjykimit, në zbatim të së drejtës kushtetuese”.
Po ashtu në këtë letër garancie qeveria shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha angazhohet se: “Do t’i garantojë personit të ekstraduar garancitë proceduriale të njohura nga pakti ndërkombëtar i OKBS për sa i takon të drejtave civile e politike”.
Letra e garancisë thotë gjithashtu se: “Asnjë gjykatë special nuk do të merret me aktet penale për të cilat akuzohet personi i ekstraduar. Personi ekstraduar nuk do ti nënshtrohet asnjë trajtimi që cenon integritetin e tij fizik e psikik”.
Një tjetër garanci e shprehur në këtë letër thotë se: “gjendja e personit të ekstraduar nuk mund të rëndohet gjatë arrestit për gjykim ose për zbatimin e dënimit nga përshtypjet e krijuara për shkak të opiniponeve të tij ose aktiviteteve politike të parashikuara në Kushtetutë dhe Kodin e Procedurës penale”.
Për të mësuar më shumë se cili ishte faktori kryesor në ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri dhe a ka patur prapavijë politike siç pretendon Z. Berisha, Report TV kontaktoi avokatin turk të Haxhisë i cili deklaroi se nuk ka patur asnjë dokument të ri garancie nga Ministria e Drejtësisë drejtuar nga Etilda Gjonaj.
“I vetmi dokument garancie në dosjen e Izet Haxhisë që mundësoi ekstradimin e tij është dokumenti vitit 2007 i marrë në konsideratë nga qeveria aktuale turke’. Po ashtu avokati deklaroi se sipas ligjit turk dokumenti lejimit të ekstradimit mban edhe firmën e presidentit Erdogan dhe ministrit të drejtësisë Abdul Hamit Gul.
Muhamed Veliu