Nga Spartak Ngjela
Treshja e madhe e korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar, Berisha, Rama, Meta sot po komploton kundër Reformës në Drejtësi dhe kërkon të gjejë mbështetje politike jashtë Perëndimit.
Por kudo po i mposht Ambasadori amerikan. Në fakt ai është shumë më i mençur nga të tre këta bashkë, por sigurisht që ai ka edhe forcën e politikës amerikane në zotërim. Kurse në Gjermani, duket se ka filluar të flasë shqiptari i kapur me një ton kokainë, për lidhjet e tij me politikën e lartë shqiptare.
Këtu është loja, sepse kuptohet që edhe shkarkimi i prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda sigurisht që ka lidhje me hetimin e trafikantit të madh shqiptar në Gjermani, dhe me hetimin ndërkombëtar kundër treshes shqiptare të lidhur me krimin ndërkombëtar.
l.
Dje, ambasador i amerikan në Tiranë, bëri shumë mirë që iu tregoi shqiptarëve se politika amerikane e ka shkarkuar prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Po sot, ende ka skeptikë që nuk po e kuptojnë që këtë reformë antikorrupsion në Shqipëri po e drejtojnë amerikanët?
Por, kur shqiptarët do të njihen me bëmat e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, nuk besoj se këta do të shfaqin ndonjë ndjenjë mëshire për ndëshkimin dhe shpronësimin e tyre. E gjithë kjo kuptohet se duhet të ketë lidhje me hetimin ndërkombëtar kundër korrupsionit shqiptar, ku sigurisht që është e lidhur edhe prokuroria shqiptare.
Fakti që dje u godit Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila duhet të vazhdojë edhe më tej, kuptohet se ndërkohë jemi afër goditjes së korrupsionit të lartë shtetëror, sepse kjo prokuriri do të jetë në fakt Prokuroria e Posaçme.
ll.
Megjithatë treshja e lartë po komploton. Bëjnë sikur shahen me fjalë të ulta me njëri-tjetrin se duan të kalojnë situatën, por merret vesh që janë bashkë. Kurse ambasador Donald Lu po tallet me forcën e komplotit të tyre.
Rama vërtitet në vakum nëpër Shqipëri se nuk ri dot vetëm. E rëndon shumë pesha e likuidimit të tij të shpejtë, dhe po flet përçart, se askush nuk po kupton çfarë kërkon të thotë.
Por çfarë mendje ka, vërtet mendon ky kryeministër se mund të trembë politikën amerikane me një grusht njerëzish që po i dalin nëpër takime?
Të gjithë këta janë korruptuar për shkak të nivelit të ulët të intelektit që kanë, dhe po ky intelekt po i fut në një rrugë qesharake; sidomos kur është fjala për Edi Ramën.
Ky sot, në dëlir po mendon se do të gënjejë shqiptarët me fjalitë pa kuptim logjik që po shqipton. Dhe, shikoni Saliun si ia bën kritikën Ramës: në çdo tre fraza, thotë “Edi Rama është frikacak”. Por, nëse Saliu vërtet është në politikë kundërshtare me të, sigurisht që frikën e Ramës e ka në favor. Atëherë, pse ia përmend?
Ia përmend rëndom frikën, sepse Saliu nuk është në kundërti me të, por është shumë i mërzitur se mendon që Rama ka shumë frikë nga amerikanët. Dhe këtu fillon absurdi komik i Saliut. Po pse o Sali, ti vetë trim je kundër amerikanëve?
As që e mendon njëri këtë. Sepse të gjithë e dinë tani se, aq i trembur është Saliu nga amerikanët, sa godet ambasadorin amerikan në Tiranë, por jo politikën e lartë amerikanë. Po pse, o Sali, shqiptarët nuk e kuptojnë që je një i trembur dhe po merresh me Ramën që ta trimërosh atë kundër Amerikës, kur vetë je futur skutave dhe shan ambasadorin amerikan, por jo politikën amerikane?
Kjo është në fakt tragjikomedia e korrupsionit shqiptar. Dhe do të vijojë kështu.
lll.
Gjendja, për korrupsionin shqiptar, sot mund të quhet se është një gjendje nën rrethim. Kudo ka hetim të thellë profesional kundër korrupsionit kryeministror shqiptar; ka përgjime dhe trajtime profesionale ndjekjesh kundër lidhjes së politikës shqiptare me krimin e organizuar shqiptar në rang ndërkombëtar; dhe ka edhe prova të sakta që ky krim i organizuar e ka shpresën te shkëputja e Shqipërisë nga gravitacioni amerikan dhe perëndimor.
Por e kanë të pamundur. Shihni si janë bërë eshkë në fytyrë dhe po kuptohet se të gjithë shpresën e kanë në krijimin e një bashkimi politik të të dy krahëve si komplot kundër reformës. Por nuk po gjejnë dot motivin që të gënjejnë politikën amerikane dhe politikën gjermane.
Në fakt po lodhen kot, dhe ndërkaq të kujtojnë shprehjen e famshme të Mararit në Revolucionin Francez, kur thoshte shpesh: “komplotet janë kudo rreth nesh”.
Kështu janë edhe sot në Shqipëri komplotet e të korruptuarve kundër reformës, kudo rreth nesh, por janë të dështuar se tani reforma shqiptare antikorrupsion nuk mund të mposhtet dot më në Shqipëri. Vërtet mendojnë se do të mundin politikën amerikane këta mendjengushtë në Shqipëri?!
a.ç