Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar vendimin për statusin special për investitorët që do të ndërtojnë në Shqipëri hotele me 4 dhe 5 yje. Për të marrë këtë status duhet që vlera e investimit për ndërtimin e strukturave akomoduese të jetë mbi 8 milionë euro për hotelet me 4 yje dhe 15 milionë euro për hotelet me 5 yje.
Për të marrë këtë status special, që e lehtëson nga taksat për disa vite, investitori duhet që të mos ketë qenë i dënuar. Ndërsa marrëveshja zgjidhet menjëherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se; falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi. Me vendimin e sotëm qeveria shqiptare pret që në Shqipëri të afrohen investitorë të mëdhenj.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/2, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve si dhe i procedurës që do të ndiqet deri në paraqitjen e propozimit në Këshillin e Ministrave.
2. Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Autoriteti”, ministria përgjegjëse për turizmin.
b) “Aplikues”, çdo investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, që aplikon pranë autoritetit për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”.
c) “Komisioni i përhershëm i vlerësimit të aplikimeve” (këtu e në vijim “Komisioni”), komisioni që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, i cili shqyrton aplikimet dhe paraqet pranë ministrit vlerësimin në lidhje me dhënien ose jo të statusit special.
ç) “Sekretariati teknik i komisionit”, struktura administrative që asiston komisionin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij. Rolin e sekretariatit teknik e luan struktura përgjegjëse për përgatitjen dhe fizibilitetin e projekteve në fushën e turizmit pranë autoritetit.
d) “Sigurimi i marrëveshjes së zhvillimit”, një sigurim në formën e një depozite bankare apo garancie financiare, të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi vendase apo e huaj, e licencuar nga autoritetet shtetërore për të ushtruar këtë veprimtari.
dh) “Subjekt për qëllime të veçanta (SPV)”, ka kuptimin që përcaktohet në nenin 207 e në vijim, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
e) Termat e tjerë të papërkufizuar, të përdorur në këtë vendim, do të kenë kuptimin që i është dhënë në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
II. KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKUESI PËR MARRJEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo aplikues, krahas kushteve të përcaktuara në nenin 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, duhet të plotësojë edhe disa kritere të tjera për kualifikim.
2. Kriteret e tjera të kualifikimit ndahen në kritere të përgjithshme dhe kritere të veçanta.
2.1 Kriteret e përgjithshme të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë vijon:
a) Të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse, sipas nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
b) Të ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret e mëposhtme ose, në rastin kur aplikuesi do të menaxhojë vetë këto struktura, ai duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton plotësimin e këtyre kritereve:
i. Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;
ii. Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to; si dhe
iii. Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian; apo
iv. Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizimit.
c) Të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.
ç) Të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni vendas/i huaj për taksat dhe tatimet.
d) Të ushtrojë veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi vendas/i huaj dhe të mos jetë objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit, apo i ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese.
2.2 Kriteret e veçanta ekonomike dhe financiare të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë:
a) Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 000 000 (tetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje;
b) Të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në 3 (tri) vitet financiare të fundit të marra së bashku.
3. Në rast se aplikuesi është një SPV, atëherë do të duhet që të gjitha kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë kre të plotësohen nga kompania mëmë. Në këtë rast, kompania mëmë është përgjegjëse solidare me detyrimet kontraktuale të SPV-së që rrjedhin nga statusi special.
4. Në rast se aplikuesi është një Joint Venture ose Consortium, atëherë të gjitha kriteret e kualifikimit të dhëna në këtë kre duhet të plotësohen nga të gjitha kompanitë e Joint Venture ose Consortium-it së bashku. Në këtë rast, të gjitha kompanitë pjesë e Joint Venture ose Consortium-it janë së bashku përgjegjëse në mënyrë solidare me detyrimet kontraktuale të Joint Venture ose Consortium-it, të cilat rrjedhin nga statusi special.
III. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të ndjekë procedurat dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
2. Me paraqitjen e aplikimit, subjekti duhet të paguajë tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
a) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh.
b) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.
c) Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
3. Autoriteti është përgjegjës për pritjen e aplikimit, shqyrtimin e tij si dhe ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim për propozimin e statusit.
4. Vlerësimi i aplikimit për dhënien e statusit bëhet nga Komisioni, në ministrinë përgjegjëse për turizmin.
5. Komisioni është përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për pritjen e aplikimeve, përfshirë por pa u kufizuar, në përgatitjen e dokumenteve që detajojnë kërkesat dhe kriteret kualifikuese për aplikuesit, komunikimet dhe njoftimet me aplikuesit, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve, si dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm.
6. Komisioni përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose institucione në varësi të saj dhe asistohet nga sekretariati teknik. Përbërja nominale e komisionit dhe sekretariatit teknik si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tyre përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
7. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
8. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
9. Mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, dhe komisioni mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi.
10. Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij duhet të marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
IV. APLIKUESIT, ELEMENTET PËRBËRËSE DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN
1. Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit, “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ka të drejtë që të aplikojë për të përftuar njërin nga këta dy statuse.
2. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, si dhe dokumente të tjera që kërkohen nga komisioni, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kushteve dhe i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
3. Dokumentacioni i aplikimit depozitohet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin në gjuhën shqipe ose/apo në gjuhë të huaj. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar.
4. Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin.
5. Dokumentet për aplikim mund të shkarkohen nga aplikuesit në faqen zyrtare të autoritetit ose/apo mund të tërhiqen pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
Këto dokumente përbëhen nga:
a) të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin;
b) kërkesat e kritereve të përgjithshme për kualifikim;
c) kërkesat e kritereve të veçanta ekonomike dhe financiare për kualifikim;
ç) formularët, si më poshtë vijon:
i. Formulari i aplikimit;
ii. Formulari i njoftimit të pranimit të aplikimit;
iii. Formulari i refuzimit të aplikimit;
iv. Formulari i ankesës;
v. Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
vi. Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
Formati tip i formularëve është sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
d) prokura, në formën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, që tregon se personi/personat që kanë nënshkruar aplikimin kanë të drejtën e nënshkrimit të saj, në rast se aplikimi nuk paraqitet nga vetë aplikuesi. Prokura duhet të jetë e vlefshme gjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së aplikimit, nga momenti i protokollimit zyrtar të aplikimit pranë autoritetit deri në momentin e hartimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së zhvillimit.
6. Subjektet që aplikojnë për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të dorëzojnë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin informacion të përmbledhur lidhur me:
a) të dhënat e subjektit aplikues dhe të kontakteve të tij;
b) përmbledhjen ekzekutive në lidhje me veprimtarinë e aplikuesit;
c) jetëshkrimin e drejtuesve dhe të stafit të kualifikuar, të cilët do të menaxhojnë strukturën akomoduese;
ç) propozimin e projektit teknik në lidhje me strukturën akomoduese, që duhet të përmbajë, të paktën:
i. projektidenë;
ii. projektin arkitekturor;
iii. të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet;
iv. të dhëna për cilësinë e infrastrukturës dhe vlerat e investimit;
v. planin e zbatimit, planin operacional dhe metodat për funksionimin dhe mirëmbajtjen e investimit;
vi. grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit; dhe
vii. të dhëna në lidhje me të drejtën e pronësisë mbi pronën ku parashikohet ndërtimi i strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje status special, apo të drejtën e përdorimit të pronës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit (kontratë shitblerjeje, dhurimi, shkëmbimi, qiraje, enfiteoze, huapërdorjeje apo të tjera si këto).
d) burimet e financimit të projektit;
dh) studimin e fizibilitetit;
e) vlerësimin e ndikimit mjedisor të projektit; si dhe
ë) vlerësimin e ndikimit social, ekonomik dhe të nivelit të punësimit, që parashikohen të realizohen.
7. Subjekti aplikues, së bashku me informacionin përmbledhës, duhet të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentacionin që vërteton plotësimin e të gjitha kritereve të kualifikimit, të përcaktuara në pikat 2.1. dhe 2.2., të kreut II, të këtij vendimi;
b) Vërtetimet se aplikuesi është i regjistruar sipas ligjeve në fuqi dhe se ai nuk është objekt i ndonjë procedure falimentimi dhe/ose likuidimi, apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese;
c) Vërtetimet se aplikuesi nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale që lidhen me veprimtarinë profesionale.
ç) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe të tatimeve;
d) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore;
dh) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe të dokumenteve të paraqitura në aplikim, nuk ka pengesë ligjore për të ushtruar veprimtarinë, si dhe njeh e pranon kriteret dhe detyrimet lidhur me aplikimin për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
e) Autorizimin me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni, autoriteti apo çdo person a entitet i caktuar prej tyre, autorizohen për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ë) Vërtetimin e pagesës së tarifës së aplikimit;
f) Sigurimin e marrëveshjes, në formë dhe përmbajtje, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshjen tip bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Dokumentacioni dhe/ose vërtetimet e kërkuara më sipër paraqiten në format origjinal ose kopje të noterizuara. Nëse ndonjë nga dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohet në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një vetëdeklarim me shkrim nga ana e subjektit të huaj të interesuar, në të cilin të vendosen të dhënat e plota të kontakteve ku deklarimet e aplikuesit mund të verfikohen.
9. Komisioni dhe/ose autoriteti kanë të drejtë të verifikojnë çdo të dhënë ose dokument të paraqitur nga çdo aplikues, por pa cenuar procesin dhe afatet e trajtimit të aplikimit të përcaktuara në këtë vendim. Çdo gjetje që do të rezultojë nga verifikimi do të trajtohet dhe do të vlerësohet mënjëherë nga komisioni, i cili do të propozojë, sipas rastit, vazhdimin e procedurës së trajtimit dhe njoftimin e aplikuesit mbi gjetjet.
V. PROCEDURA E DORËZIMIT DHE E SHQYRTIMIT TË APLIKIMIT
1. Aplikimi duhet të dorëzohet nga aplikuesit nëpërmjet shërbimit postar ose pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, në adresën e përcaktuar në dokumentet për pranimin e aplikimeve.
2. Aplikimet, së bashku me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohen të mbyllura brenda 1 (një) zarfi, ku duhet të jetë shënuar “Aplikim për statusin e veçantë, “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special”. Të mos hapet, përveçse në prani të komisionit”. Zarfi duhet të jetë i vulosur me vulën e aplikuesit dhe të përmbajë emrin dhe adresën e saktë të tij.
3. Shqyrtimi i aplikimit bëhet nga komisioni, bazuar në kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut II, dhe në dokumentacionin pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Nëse komisioni konstaton se aplikimi ka mangësi informacioni apo dokumentacioni atëherë njofton aplikuesin, duke i lënë një afat kohor prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune për plotësimin e mangësive, nga momenti i marrjes së njoftimit. Nëse aplikuesi nuk plotëson mangësitë e aplikimit brenda afatit të përcaktuar, komisioni nuk merr në shqyrtim aplikimin dhe njofton aplikuesin. Në këtë rast dosja konsiderohet e mbyllur dhe për rihapjen e saj do të ndiqet procedura si për rastet që paraqiten për herë të parë.
5. Nëse aplikimi është cilësuar nga komisioni si jo në përputhje me kriteret e kualifikimit, do të quhet “Aplikim i refuzuar” dhe për këtë aplikim do të rekomandohet mosvijimi i procedurave të propozimit për dhënien e statusit të veçantë. Aplikimi me këtë cilësi nuk do të merret në konsideratë për shqyrtim në një kohë tjetër.
6. Komisioni shqyrton aplikimin brenda 10 (dhjetë) ditëve pune dhe i përcjell ministrit përgjegjës për turizmin raportin përmbledhës të shoqëruar me vendimmarrjen e komisionit, brenda 2 (dy) ditëve pune nga përfundimi i shqyrtimit të aplikimit të trajtuar.
7. Raporti përmbledhës duhet të përmbajë përshkrimin e procedurës së ndjekur, informacionin mbi ecurinë e shqyrtimit të aplikimit, dokumentacionin përkatës, arsyet e pranimit apo të mospranimit të aplikimit, rekomandimet për aplikimet e pranuara në lidhje me dhënien e statusit, si dhe çdo informacion tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me procedurat e ndjekura në këtë shqyrtim.
VI. PROPOZIMI PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe nëse është dakord me vendimmarrjen e komisionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit.
2. Në rast se komisioni vendos për mosvijimin e procedurave të propozimit për dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special”, ministri përgjegjës për turizmin refuzon vijimin e procedurave dhe njofton aplikuesin mbi arsyet e kësaj vendimmarrjeje.
3 Kundër vendimit të ministrit përgjegjës për turizmin mund të bëhet ankim në gjykatë. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në ligj për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
VII. MARRËVESHJA E ZHVILLIMIT ME INVESTITORIN
1. Pas dhënies së statusit nga Këshilli i Ministrave (hyrjes në fuqi të vendimit përkatës), aplikuesi njoftohet autoriteti kontraktues që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin (në vijim “Marrëveshja”).
2. Marrëveshja që do të nënshkruhet duhet, detyrimisht, të përmbajë, si më poshtë vijon:
a) Objektin e marrëveshjes dhe statusin e akorduar investitorit;
b) Vlerën e projektit;
c) Kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe afatet e realizimit të projektit;
ç) Asistencën që mund të japë autoriteti për marrjen e licencave dhe të lejeve të nevojshme;
d) Detyrimet e ndërsjella të palëve;
dh) Ndalimet e tjetërsimit të pronësisë së strukturave të ndërtuara apo të pjesëve të tyre;
e) Të drejtën e autoritetit ose të çdo autoriteti tjetër publik të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi për të monitoruar ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special dhe operimin e saj;
ë) Të drejtën për shtyrjen e afatit apo zgjidhjen e marrëveshjes;
f) Pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella, përfshirë heqjen e avantazheve si pasojë e shfuqizimit të statusit; si dhe
g) Ligjin e zbatueshëm, mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente.
3. Modeli i marrëveshjes tip që autoriteti do të nënshkruajë me investitorin gjendet bashkëlidhur në shtojcën 2, të këtij vendimi.
4. Në rast se investitori nuk nënshkruan marrëveshjen me autoritetin, brenda afatit 30 (tridhjetë)-ditor nga data e njoftimit sipas pikës 1, të këtij kreu, procedura e humbet vlefshmërinë.
5. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori duhet të bëjë sigurimin e marrëveshjes në përputhje me përcaktimet e bëra në marrëveshjen tip, si garanci për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së marrëveshjes nga ana e tij. Sigurimi i marrëveshjes përfundon pas përfundimit të kohëzgjatjes së rregullt të marrëveshjes.
Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon:
a) Për hotelet me 4 yjE 10% e vlerës 8 milionë euro (800 mijë euro); dhe
b) Për hotelet me 5 yje 10 % e vlerës 15 milionë euro (1.5 milionë euro).
6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Buletinin e Njoftimeve Publike publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Ky njoftim duhet të përmbajë:
a) emrin, adresën e investitorit dhe statusin special që i është dhënë atij;
b) kohëzgjatjen e marrëveshjes; dhe
c) vlerën e projektit dhe afatin e realizimit të tij.
7. Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë kohore 10 (dhjetë) vjeçare dhe nuk mund të tjetërsohet nga titullari i saj te një subjekt tjetër.
8. Marrëveshja zgjidhet menjeherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se:
a) investitori falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi;
b) në përfundimin e punimeve të strukturës akomoduese, autoriteti kontraktues verifikon që ato nuk përmbushin kriteret dhe kushtet e duhura për statusin special me (4 ose 5) yje;
c) marrëveshjes i ka përfunduar afati i vlefshmërisë;
ç) investitori në shkelje të marrëveshjes e transferon marrëveshjen te një subjekt tjetër;
d) janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara në lidhje me kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e statusit, të cilat provohen në çdo kohë;
dh) kushtet për të cilat investitori e ka përfituar statusin nuk qëndrojnë më dhe ai nuk ka marrë masat për t’u rikthyer në ato kushte apo kushte të ngjashme të pranueshme për autoritetin brenda 6 (gjashtë) muajve nga njoftimi i këtij të fundit; si dhe
e) investitori braktis ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special apo në rast se investitori braktis veprimtarinë turistike që zhvillon tek kjo strukturë akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshje.
VIII. SHFUQIZIMI I STATUSIT DHE EFEKTET E SHFUQIZIMIT
1. Kur konstatohet një nga rastet e listuara në pikën 8 më sipër, ministri përgjegjës për turizmin, bazuar në raportin përmbledhës të komisionit, i propozon Këshillit të Ministrave shfuqizimin e statusit.
2. Komisioni inicion hartimin e raportit përmbledhës për propozimin e shfuqizimit të statusit, pasi analizon/vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga njësitë monitoruese respektive të ngritura nga autoriteti kontraktues.
3. Përveç rastit kur marrëveshjes i përfundon afati normal i vlefshmërisë, shfuqizimi i statusit për arsyet e tjera të listuara në pikën 8, të këtij kreu, detyron investitorin që të kthejë të gjitha avantazhet e përftuara, sipas parashikimeve të nenit 12, të marrëveshjes, e cila është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Përllogaritja kryhet nga organet kompetente tatimore, në formën që parashikon legjislacioni fiskal dhe këto organe njoftojnë komisionin për detyrime që subjekti duhet të kthejë. Shuma e detyrimit është pjesë përbërëse e aktit të shfuqizimit. Për mbledhjen e këtyre detyrimeve organet tatimore kanë të gjitha të drejtat që legjislacioni në fuqi parashikon për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të investitorit.
ma.me