Pas akuzave politike të ish-ministrit të LSI-së Petrit Vasili sa i përket Listëssë Barnave të Rimbursueshme 2018 ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu teksa shpërndan reagimin e drejtorit të FSDKSH-së, tregon me shifra batakun në të cilën e la shëndetësinë LSI-ja në kohën kur qeveriste me Berishën dhe kur ministër ishte Petrit Vasili.
Ministrja teksa e cilëson si gërmadhë gjendjen në të cilën Vasili e LSI e lanë shëndetësinë kur qeverisnin me Berishën, rreshtoi edhe të gjitha faktet që sipas saj tregojnë diferencën mes dy filozofive qeverisëse. “Një gërmadhë, ku ilaçet e blera me taksat e shqiptarëve zhdukeshin pa mbërritur në dyert e depove të barnave të spitaleve.
Një gërmadhë, në të cilën buxheti për shëndetësinë ishte 124 milion Euro më pak se sa sot, dhe vetëm buxheti për listën e barnave të rimbursueshme, ishte 30 milion Euro më i vogël.”, shkruan Manastirliu në Facebook
Më tej, Manastirliu pa përmendur emra por duke e lënë të kuptohet, i kujton Vasilit se në kohën e tij, blera e ilaçeve bëhej nga miq dhe kushërinj, dhe ku ishte shuar fare vija që ndante zyrtarin e shtetit nga biznesmeni.
REAGIMI I PLOTE I MINISTRES SE SHENDETESISE DHE MBROTJES SOCIALE, OGERTA MANASTIRLIU
Një sqarim i hollësishëm, në përpjekjen për të vazhduar përpara në rrugën tonë për shëndetësinë që duam, për të bërë sa më shumë transparencë, përballë qytetarëve që na kanë votuar në shumicë.
Por edhe një përgjigje për të gjithë ata që sot shfryjnë e nxjerrin vrer, por që kur shqiptarët ua dhanë shansin, e katandisën shëndetësinë në gërmadhë.
Një gërmadhë, ku ilaçet e blera me taksat e shqiptarëve zhdukeshin pa mbërritur në dyert e depove të barnave të spitaleve.
Një gërmadhë, në të cilën buxheti për shëndetësinë ishte 124 milion Euro më pak se sa sot, dhe vetëm buxheti për listën e barnave të rimbursueshme, ishte 30 milion Euro më i vogël.
Një gërmadhë, ku qytetarët shqiptarë trajtoheshin në mjedise që nuk i linin asgjë mangët zonave të luftës, apo tregjeve të gjësë së gjallë.
Një gërmadhë ku mjekë e infermierë ishin nëpërkëmbur, deri në pikën që, me urdhëra ministrash detyroheshin të zbraznin xhepat për të paguar “specializimin” në Universitete private, të cilët koha dhe drejtësia i vërtetoi si piramida.
Një gërmadhë ku politikat shëndetësore për blerje barnash bëheshin nga miq dhe kushërinj, dhe ku ishte shuar fare vija që ndante zyrtarin e shtetit nga biznesmeni.
Eshtë ky binom që sot vazhdon të godasë me baltë, dhe të kërcejë përpjetë – çuditërisht – sa herë që, qeveria në mandatin e parë dhe tashmë edhe në mandatin e dytë, shpall uljen e çmimeve të ilaçeve.
Por shqiptarët janë të zgjuar. I kanë parë, i kanë njohur, dhe janë mësuar tashmë me politikanët që sot lëpijnë atë që pështynë dje, e nesër pështyjnë atë që lëpijnë sot.
Për sa na takon, do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, me shumë përkushtim dhe përulësi, bashkë me qytetarët, për të përmbushur premtimin që u kemi dhënë atyre, për Shëndetësinë që duam.
Më poshtë, ju ftoj të lexoni deklaratën e Drejtorit të FSDKSH, në lidhje me listën e re të barnave të rimbursueshme.
——
Deklarata e Z. Eduart Ahmeti, Drejtor i Përgjithshëm i “Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”,
lidhur me Listën e Barnave të Rimbursueshme 2018
Jam sot në këtë konferencë për të ndarë me ju dhe me gjithë qytetarët fillimin e procesit të aplikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme 2018, e cila siç është përmendur edhe më parë zgjeron gamën e medikamenteve të rimbursuara si dhe të diagnozave që ajo mbulon.
Lista e re e barnave 2018 përmban:
1175 alternativa tregtare
568 barna të para
344 principe aktive
dhe 36 barna të reja të përfshira për herë të pare në listën e rimbursimit për diagnoza si insuficiencë kardiake, kancer, hepatit C, demencë/Alzheimer, diabet, etj.
Këto barna, përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime onkologjike, gastrohepatologjike, endokrinologji, kardiologji, psikiatrike, neurologjike etj
Pa dyshim, risi është përfshirja në këtë listë e herceptinës, njëra forme e saj, e cila së bashku me formën tjetër që sigurohet në QSUT arrin mbulimin 100% të nevojave të grave dhe vajzave për trajtimin e kancerit të gjirit.
Përveç shtimit të numrit të barnave të LBR 2018, vlen të theksohet se çmimet e miratuara janë ulur me rreth 11% krahasuar me çmimet e listës së mëparshme, duke sjellë kështu mundësinë për zgjerimin e listës së rimbursueshme dhe në përfshirjen e diagnozave të reja që më paë nuk ishin mbuluar.
Ndërkohë, krahas uljes së çmimit të barnave është rritur vlera e financimit për rimbursimin e barnave. Ne sot financojmë rreth 10.4 Miliard lekë për rimburismin e barnave dhe përfitojnë rreth 475,000 qytetarë.
Vetëm nga barnat e rinj do të përfitojnë rreth 10 mijë qytetarë.
Për herë të parë, këtë vit përfshimë në rimbursim edhe materialet mjekësore dhe e filluam me rimbursimin e plotë të fishave të diabetit për femijët 0-18 vjeç, duke i kursyer çdo familjeje që ka 1 femijë me diabet, 1.2 milion lekë në vit që i shpenzonte vetëm për fishat.
Mbetemi të angazhuar për zbatimin me përpikmëri të VKM për LBR 2018, e cila tashmë është në dispozicion të qytetarëve dhe subjekteve të interesuar.
a.ç