“Jam punonjëse e Interpolit dhe njoh persona që mund t’ju pajisin me vizë amerikane”. Kështu vetëprezantohej 48-vjeçarja Pranvera Stojani në Lezhë, teksa arriti të mashtronte të paktën dy persona duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash.
Gruaja e papunë dhe me arsim 8-vjeçar, arriti të bindte dy qytetarë të Lezhës duke iu marrë njërit 8 mijë euro dhe tjetrit 3 mijë euro në këmbim të vizës amerikane. Por pasi iu mori pasaportat, ajo u zhduk.
Të gjendur në këto kushte, pas rreth dy muajsh kërkime, të dëmtuarit i janë drejtuar Policisë së Lezhës, ku edhe kanë kryer denoncimin duke rrëfyer gjithçka iu kishte ndodhur. Policia nisi menjëherë hetimin dhe në një kohë të shpejtë arriti të identifikonte dhe më pas të arrestonte 48-vjeçaren e dyshuar për mashtrim.
“U prezantohet si punonjëse e Interpolit dhe u premton vizë amerikane kundrejt vlerave monetare 8000 dhe 3000 euro. Nga specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, u ndalua me iniciativë shtetasja Pranvera Stojani, 48 vjeçe, banuese në Lezhë.
Ndalimi u bë pasi, nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit, u ka marrë dy shtetasve, të cilët kanë bërë kallëzim ndaj saj, shumat e parave me premtimin për t’u dhënë vizë amerikane, pasi u ishte prezantuar si punonjëse e Interpolit. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit nga kjo shtetase.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Lezhës.
Policia bëri të ditur se është duke hetuar për raste të tjera, pasi nuk përjashtohet dyshimi që 48-vjeçarja të ketë mashtruar edhe persona të tjerë me të njëjtën skemë, duke iu premtuar atyre viza amerikane në këmbim të shumave të mëdha të parave.
Dyshohet gjithashtu se ajo të ketë edhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj vepre penale. “Na u prezantua si punonjëse e Interpolit, që kishte njohje me persona në ambasadë”, kanë theksuar të dëmtuarit në këtë ngjarje.(Panorama)
a.ç
i lumte asht e aft, pse ato njerz te marr ende besojn