“El Clasico” i të dielës do të jetë numër 238 në të gjitha garat. Barcelona ka 93 fitore, Real Madridi, 95.Barcelona ka dështuar t’i fitojë tri derbit e fundit në “Camp Nou” në të gjitha garat, ndërsa fitorja e fundit në shtëpi ndaj madrilenëve ishte në mars të vitit 2015-të. Nga ana tjetër, Real Madridit i duhet vetëm një gol që të bëhet ekipi i parë që arrin 400 gola në Klasikë, ndërsa Barcelona ka shënuar 387 herë, transmeton KTV.
Fitorja e mundshme e Barcelonës, do të ishte e 50-ta në La Liga në shtëpi kundër Real Madridit. Ndërkohë, trepikëshi do të thoshte fitore e dyfishtë brenda një sezoni ndaj skuadrës madrilene, për herë të parë që prej edicionit 2013/14, kur udhëhiqej nga Gerardo Martino.
“Blaugrana” ka shënuar në 20 ndeshjet e fundit në ligë kundër Real Madridit, 46 herë gjithsej, por Lionel Messi ka dështuar të shënojë gol në katër Klasiket e fundit në Camp Nou, në La Liga.
Cristiano Ronaldo nga ana tjetër ka shënuar 11-të gola në 11-të vizitat e fundit në stadiumin gjigant në të gjitha garat. Të gjitha kanë qenë nga brenda zonës së rrezikshme, përfshirë këtu një penallti.
Tre lojtarë të ndryshëm mund të luajne për herë të 38 në El Clasico të dielën, Andres Iniesta, Lionel Messi dhe Sergio Ramos. Rekordin e mbajnë Manolo Sanchis me 43 dhe Paco Gento e Xavi me nga 42 paraqitje, përgatiti Koha. (b.an)