Detaje të reja kanë dalë lidhur me hetimet që po zhvillohen në Shqipëri pas arrestimit të dy shqiptarëve të cilëve në Spanjë iu kapën 1 ton kokainë dhe 1.5 milion euro cash. Burime nga Policia e Shtetit thonë se për momentin fokusi hetimeve është përqendruar tek i arrestuari Julian Deblini i cili më parë e ka mbajtur mbiemrin Gjoka.
Julian Gjoka në vitin 2011 e ndryshoi mbiemrin në Julian Deblini. Por ëdhe vëllai i tij rezulton me mbiemër të ndryshuar. Policia e Lezhës dhe departamenti kundra zbulimit në SHISH janë duke mbledhur informacione përse Julian Gjoka e ndryshoi mbiemrin. Sikurse edhe lidhjet e të mundshme të 35-vjeçarit nga Lezha me eksponentë të botës së krimit në këtë qytet apo edhe në Europë.
Bashkë me Julian Deblinin në Spanjë është arrestuar edhe Arjan Ndoci, 45-vjeç me origjinë nga Laçi por banues në Tiranë. Momentin e arrestimit ai kishte paraqitur një pasaportë fals me identitet të Dritan Gradicës, djali i një ish-gjyqtari që jeton në Londër, por që nuk rezulton të ketë asnjë lidhje me trafikun.
Në sitën e verifikimeve do të kalojnë në fakt të gjitha pasutitë edhe të familjarëve të Arjanit, që rezultojnë bashkëpronarë të një nga Qendrat Tregtare më të rëndësishme në kryeqytet dhe pronar i shumë pallateve. Verifikimet bazohen në ligjin antimafia ku përfshihen në hetime edhe familjarët e të arrestuarve për trafik ndërkombëtar droge.
Një ditë pas arrestimit zëdhënësja e policisë së Madridit në një prononcim për Report TV deklaroi se dy shqiptarët e arrestuar ishin kokat e këtij grupi kriminal ku bënin pjese edhe dy shtetas spanjoll dhe një kolumbian.
Në të njëjtën kohë Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen verifikime në zyrat e hipotekës, bizneset, bankat e nivelit të dytë, pronësitë mbi automjetet dhe agjencitë e transfertave dhe këmbimeve valutore.
Pas verifikimeve nga policia dhe prokuroria dosja do kalojë në Gjykatë për vënien e pasurive nën sekuestro, dhe pas sekuestros së pronare ata janë të detyruar ti faktojnë gjykatës origjinën e parave me të cilat kanë ndërtuar këto prona.
Shqiptarja.com