Dritan Gradica dhe Julian Deblini janë sipas mediave spanjolle identitetet e dy shqiptareve të arrestuar në Spanjë me 1 ton kokaine kolumbiane. Nga verifikimi i “News24” rezulton se i pari ka vjedhur identitetin, ndërsa i dyti Julian Deblini nuk ekziston fare si identitet në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile në Shqipëri.
Orët e fundit thuhet jozyrtarisht se, njëri prej të arrestuarve, dhe pikërisht ai që ka vjedhur identitetin e Dritan Gradicës, është shtetasi Arjan Ndoci, nga Laçi, vëllai i një biznesmeni të njohur në Tiranë.
Ndërsa personi tjetër, është një shtetas nga Lezha dhe rezulton që prej vitesh nuk ka shkelur në territorin shqiptar.
Policia e Shtetit cila sqaroi se është duke bashkëpunuar me autoritetet e DEA-s dhe policisë spanjolle për të konfirmuar identitetin e vërtetë të të arrestuarve, por deri më tani një gjë e tille nuk është bërë e mundur.
Nëse policia i disponon këto identitete është e paqartë, por fakt është që zyrtarisht nuk i konfirmon. Mbetet për t’u parë reagimi i policisë edhe Ministrisë së Brendshme në orët me vijim lidhur me rastin në fjalë. Duhet theksuar faktin se të dy të arrestuarit janë të pajisur me pasaporta biometrike të lëshuara nga autoritetet shqiptare.
Shqiptarët që sipas mediave spanjolle ishin Dritan Gradica dhe Julian Deblini, u vunë në pranga tri ditë më parë në Madrid, në hollin e një hoteli, vetëm pak pasi autoritetet e policisë sekuestruan një sasi rekord prej 1 ton kokainë dhe një valixhe me 1.55 milionë euro.
Droga, e cila, mendohet të jetë blerë tek Klan Del Golfo në Kolumbi, ishte transportuar drejt Madridit me carter dhe në secilën prej pakove kishte të vulosur siglën CR7, të njëjtë me atë që përdoret për yllin e futbollit, Ronaldo.
Mediat spanjolle shkruajnë se hetimet rreth grupit kriminal nisën në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa operacioni u ndërmor nga Drejtoria e Seksionit kundër Narkotikëve të Kolumbisë, DEA amerikane në koordinim me Europol./a.m.