TIRANE– Problematika me tokën ka sjellë pengesë në zhvillimin turistik të zonave bregdetare. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë pastrimit në plazhin e Spillesë dhe pyllin pranë tij ka ndjekur nga afër edhe problematikën e ndarjes në parcela të manipuluara.
Për shkak të kësaj situate zona e Spillesë me një potencial të madh turistik ende nuk ka hotele dhe biznese për të mirëpritur qindra mijëra turistë, ndonëse është një plazh shumë pranë kryeqytetit dhe ka akses me autostradën.
Ministri Klosi bëri të ditur se institucioni i tij është në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve me tokat në bregdet.
Kërkesa e vazhdueshme e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është që zona me potencial të tillë turistik të shndërrohen në magnete turistike të cilat të prodhojnë mirëqënie dhe punësim.
Për planet e bashkisë, Vila Bashtovë dhe Spilleja do të shndërrohen në zona ku sezoni turistik të jetë më i gjatë. Për kryetarin e bashkisë dhe prefekten e Tiranës, ministri Klosi e kishte një porosi; nxitjen e agroturizmit.
Duke pastruar së bashku me punonjës të administratës lokale dhe 500 nxënës të dy gjimnazeve të bashkisë Rrogozhinë, kreu i Turizmit dhe Mjedisit përsëriti apelin ndaj biznesit për të dhënë zgjidhjen përfundimtare ujërave të zeza dhe të ndotur. Në aksionin e pastrimit ishin të pranishëm Zëvendësministri i Arsimit Shpat Kolgega, kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini dhe prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari.
a.ç