Gruaja që servir kafen për njerëzit e shumtë që hyjnë e dalin këto ditë në shtëpinë e Liri Belishovës, është po ajo që i ka shërbyer të ndjerës për 20 vite me radhë. Rasti i saj nuk i përket një punonjëseje të zakonshme shërbimi, por një përkushtimi njerëzor ndaj një të afërmi, që i detyrohet shumë.
E veçon këtë aspekt që në krye të bisedës 70-vjeçarja Ëngjëllushe Luga, jo thjesht që me Lirinë janë vajza tezesh, por më së shumti për faktin që me të nuk kanë komunikuar për 40 vite me radhë për rrethana të njohura. “E tani në liri,- shton ajo,- unë duhej t’i rrija pranë, edhe për ditët e dekadat që na ndau për së gjalli diktatura”. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, gruaja që i ka qëndruar pranë deri në çastet e fundit, ka dëshirë të flasë për ato histori që Liri Belishova nuk i konsumoi në publik.
Ndër to veçon brengën e madhe që përjetonte për shpërfilljen vrastare të Nexhmije Hoxhës ndaj kërkesës së saj për t’i shkuar vajzës që po shuhej në spital, por edhe braktisjen e madhe nga ish- shoqet e institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”, me të cilat dikur kishin ndarë shumëçka sikur të ishin motra. Ëngjëllushe Luga shprehet se ka biseduar disa herë me Belishovën për një përballje të mundshme të saj me to, por në të gjitha rastet ka marrë të njëjtën përgjigje: E pamundur, përbindësha të tillë që gëlltitën jetë njerëzish, nuk kthehen kurrë te viktima e krimit të tyre. Lugës i ka bërë përshtypje këmbëngulja e Belishovës për të rendur nëpër arkiva në kërkim të të vërtetave të mbuluara me mister në vitet e diktaturës.
Zonja Ëngjëllushe, ju i keni shërbyer 20 vite pa shkëputje Liri Belishovës dhe keni qenë pranë saj deri në çastet kur ndërroi jetë. Çfarë ju tha në momentet e fundit?
ishte i papritur. U rrëzua në shtëpi ditën e premte dhe pësoi një frakturë në këmbë. E çuam me urgjencë në spital dhe aty u operua po atë ditë. Operacioni kaloi mirë dhe një moment kujtuam se shpëtoi. Ditën e shtunë dhe të diel në përgjithësi nuk pati shqetësime serioze. Pothuajse të gjithë parametrat i kishte normal. Të hënën pastaj ndodhi ajo që nuk e prisnim. Aty nga ora pesë pasdite u shua. U shua në qetësi, si shuhen flakët e qiririt. Kaq e kishte e gjora…
Pati ndonjë amanet të fundit…
Iku pa folur fare. Me sa duket e ndjeu dhe vet që ishte fundi. Dhe u mjaftua me një zgjatje dore, aq sa mund ta komandonte në ato kushte. U lëshua në krevat pa ndjenja, ashtu si engjëlli që bie në gjumë. Se engjëll ishte, paçka se kishte bërë një jetë të tmerrshme plot plagë e brenga…
Ju qëndronit 16 orë në ditë bashkë dhe, pa dyshim që flisnit dhe për gjëra që Liria nuk i konsumoi kurrë në publik…
htëpinë e saj. Unë Lirinë e kisha vajzën e tezes dhe i kam shërbyer si nënës sime. Isha ndarë me të kur isha maturante në politeknikum dhe u ritakuam pas viteve ’90. E tillë ishte ajo periudhë e regjimit komunist, të ndante për së gjalli me tërë të dashurit. Asokohe e deshi fati të isha e lirë dhe në rrethanat e krijuara vendosa t’i ofroja të gjitha shërbimet për t’ia bërë jetën më të lehtë. Ajo jo vetëm që më mirëpriti, por më besoi çdo gjë. Dhe të them të drejtën, kemi kaluar mrekullisht. Tani do më mungojë, do më mungojë shumë zëri i saj i ngrohtë, rituali i përditshëm me kafet e përbashkëta të mëngjeseve e pasditeve, me bisedat pa fund për kohët që lamë pas, për pabesitë e pushtetarëve dhe kurthet e politikanëve pa moral. E si ishte ajo, çfarë zemre që kishte…
Çfarë kujtoni ndonjë histori të veçantë, që u ka lënë mbresa të thella?
Kujtonte shumë të tilla, por kur zinte në gojë tjetërsimin e shoqeve, me të cilat kishte qenë në institutin “Nëna Mbretëreshë”, gati shpërfytyrohej. E niste me Nexhmijen. Jemi dashur shumë, jemi dashur si motra, më thoshte, megjithëse ajo ishte dy- tri vjeçe më e madhe. Kishin ndarë kafshatën e bukës, rrobat, gëzimet dhe shpërthimet e moshës bashkë. Aq të afërta ishim, kujtonte Liria, sa mendoja se mikeshë të tillë nuk do të kisha tjetër në jetë. Por ndodhi ajo që ndodhi dhe miqësia krejt papritur u kthye në armiqësi. Jo vetëm e pabesë, thoshte Liria, por Nexhmija u bë zemërgur, e pamëshirshme, katile nga shpirti. As atëherë kur i kërkova ndihmë për t’u gjendur te vajza që po vdiste në spital, nuk reagoi. E përmendte këtë detaj dhe rrëmbushej në lot. Atëherë kishte qenë e internuar në Cërrik dhe e bija kurohej me kancer në Tiranë. E vetmja gjë që i kërkoi Nexhmijes ishte një leje te organet e sigurimit për t’i shkuar së bijës pranë në çastet e fundit, por gruaja e Enverit e kishte shpërfillur dhe këtë, madje poshtërsisht. Nuk u kujtua as më vonë, thoshte, të më dërgonte qoftë dhe tërthorazi një fjalë të ngrohtë për gjëmën që më ra. Ajo tregonte se dhe më parë i kishte shkruar letër Nexhmijes dhe Enverit për ta riparë dënimin e saj, se nuk e lidhte asgjë me akuzat për lidhje me armiqtë dhe tradhtarët e vendit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Kishte ndodhur kështu edhe me ish- miqtë dhe mikeshat e dikurshme, që vazhdonin në postet zyrtare. E kishin braktisur dhe harruar të gjithë. Kjo e lëndonte më shumë nga vet represioni që e ndiqte ngado…
Po për Vito Kapon, çfarë kujtonte? E ka pasur shoqe dhe atë në Institutin “Nëna Mbretëreshë”…
Vitoja ka qenë disa vite më e madhe kur ishin në shkollë, por i kishte bashkuar lëvizja ilegale. Në vitet e luftës ishin ndarë, Vitoja kishte shkuar pas Enverit në Shtab të Përgjithshëm, ajo në formacione të tjera. E kishin rigjetur shoqërinë fill pas luftës. Kishin shkuar mirë bashkë, por kur Lirinë e kryqëzuan, e harroi dhe ajo flakë për flakë, bile sa ishte në pushtet sa gjente rastin, nuk reshte së foluri kundër saj…
Bile, Vito Kapoja e akuzon edhe sot në gazetën “Panorama”, e quan agjente të sovjetikëve që ka tentuar të eliminojë Hysni Kapon…
Kjo është edhe më e dhimbshme. Mëse e turpshme. Edhe sot pas kaq e kaq vitesh të vazhdosh me avazin e qëmotshëm, tregon se nuk je mirë mendërisht. Po nuk kanë për t’u kthjelluar ndonjëherë njerëz si Vitoja e Nexhmija, që mbajnë mbi supe dhjetëra e dhjetëra krime. Më ka treguar Liria histori të ndryshme për Viton, bile disa të tilla i ka lënë të shkruara, me amanetin që të botohen pas vdekjes. Do kenë rast njerëzia të njihen edhe me bëmat e Vitos, sikundër dhe të simotrës së saj, Nexhit…
Ka lënë kujtime të shkruara Liria?
Ka një sepete plotë me letra e dorëshkrime të shumta. Kur e pyesja pse nuk i boton, më thoshte kur t’u vijë koha. Pastaj, shumë gjëra nga dëshmitë e mia, më thoshte, dua t’i verifikoj me dokumentet e arkivave. Dhe sa bëhej një çikë mirë, me vrap te arkivi. Sa te Arkivi i Shtetit, te ai i Ministrisë së Brendshme. E brengoste shumë fakti që aty rrallë gjente diçka për të qenë.
Ju kujtohet për çfarë interesohej më shumë në arkiv?
Të them të drejtën, nuk i ndërhyja shumë në këtë punë. Mbaj mend që për ditë e ditë të tëra ka shfletuar dhjetëra dosje në arkiv për historinë e Nako Spiros. Mënyra si ai ishte zhdukur e rehabilituar disa herë, por sidomos rrethanat si kishte vdekur, i vrarë apo vetëvrarë, nuk ishin thjesht një kuriozitet i saj, por këmbëngulje për të zbardhur të vërtetën, për ta dokumentuar për historinë e patjetërsueshme
Gjatë kohës kur shërbenit pranë saj, ka pasur ndonjë rast që ajo është përballur me persekutorët e dikurshëm?
Enveri kishte vdekur. Po kështu edhe Hysni Kapoja. Të tjerët ishin ushtarë të thjeshtë që zbatonin urdhrat e tyre.
Ishte gjallë Nexhmija me Viton, ka ndodhur të ketë shkëmbyer ndonjë mesazhe me to?
Këtë pyetje ia bënin shpesh Lirisë kur ishte gjallë, sidomos gazetarët, po ajo i binte shkurt: Ai kapitull është mbyllur një herë e mirë! Ndodhi një herë që e pyeta se si do të reagonte po ta kërkonte në telefon Nexhmija. “A je në vete?,- më tha dhe ishte e bindur se tipa të tillë si ajo, nuk kthehen kurrë te viktima e krimit të tyre. A nuk e shikon, vazhdoi, që askush nga përbindëshat e diktaturës nuk denjon të kërkojë falje për mynxyrat që kanë bërë”. Nuk e priste ajo ndjesën e tyre, se e njihte ne detaj llojin e mekanizmit, me të cilin ishin përlyer në krime.
ma.me