Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Katalonja nuk kanë asgjë të përbshkët dhe një analogji e tillë nuk ka kuptim.
Haradinaj foli për të përditshmen madrilene “El Pais”, duke shtuar se Kosova është një rast krejt ndryshe.
“Nuk ka asnjë analogji të mundshme mes Kosovës dhe Katalonjës. Vendosja e kësaj ngjashmërie do të thotë shpërfillja e historisë ose interpretim i keq. Nuk mund të krahasohet dhuna nën regjimin e Milloshevicit me sundimin e ligjit spanjoll; duke e bërë atë është edhe ofenduese. Spanjë është një demokraci e avancuar. Rasti ynë rrjedh nga shpërbërja, përmes luftërave tragjike të ish-Jugosllavisë, në vitet e 90-ta. Ka një ndryshim të thellë: Kemi luftuar mbi të gjitha për të drejtat themelore të njeriut. Nuk është rasti i Katalonjës”, ka thënë ai për këtë gazetë.
Sipas kësaj gazete, Haradinaj me vendosmëri ka përsëritur se Kosova nuk do njoh pavarësinë e Katalonjës.
Intervista e tij, vjen pasi kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kishte deklaruar se do vendos veto ndaj deklaratës evropiane ku përfshihej edhe Kosova, e cila pritet të nënshkruhet në Samitin BE- Ballkani që do mbahet më 17 maj në Sofje.
Këtë ai e ka vlerësuar si një gjë të panevojshme.
“Veto e Rajoy është për të ardhur keq, sepse Kosova ka respekt të madh për Spanjën si një kombi dhe si një demokraci e konsoliduar. Ashtu si vendet e tjera që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, jemi edhe ne. Shpresoj që një ditë Spanja do të na pranojë si një anëtare e familjes evropiane që jemi ne”, ka shtuar ai.
Më tej ai ka shtuar se në këtë Samit, ai do jetë i hapur për çdo kontakt dhe se do të ishte nderë për të, të përshëndetej me Rajoy .
“Unë jam i hapur për çdo kontakt, kjo do të ishte një nder për të përshëndetur Rajoy”, ka thënë Haradinaj./a.m.