Pas Parkut të Liqenit Artificial dhe atij të Farkës, edhe Parku i Liqenit të Vaqarrit po kthehet shpejt në një hapësirë të gjelbër dhe mushkëri e tretë për Tiranën. Edhe pse fushata e mbjelljeve është mbyllur prej pak ditësh, biznese dhe disa institucione shtetërore dhuruan 4 mijë pisha të zeza dhe të buta, të cilat u mbollën sot në Parkun e Vaqarrit.
Aksionit iu bashkua edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila kontribuoi në mbjelljen e pemëve në kujtim të 42 ushtarëve të rënë dëshmorë në misionet ushtarake. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja e Mbrotjes, Olta Xhaçka, u shprehën se t’i shërbesh qytetit është një detyrë qytetare për këdo, pavarësisht nëse je ushtarak apo njeri i thjeshtë.
“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me Oltën, mikeshën time, bashkë me shumë trupa të ushtrisë, i dhamë fund një aksioni që, në fakt, më shumë se një aksion ushtarak, është një aksion qytetar. Pavarësisht çfarë angazhimesh kemi, dikush si ministër, dikush si komandant, dikush tjetër si ushtar, kemi të gjithë një detyrë: detyra e të qenit qytetarë. Të gjithë jemi thirrur sot në detyrën e qytetarit, me uniformë dhe pa uniformë, që t’i japim një ‘grand finale’ fushatës sonë së mbjelljes së pemëve”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë efektivët e forcave ushtarake për kontributin e dhënë dhe theksoi se pemët e mbjella janë vetëm një pjesë e një sërë investimesh që do prekin Parkun e Vaqarrit, për ta kthyer edhe atë në një hapësirë të mirëfilltë rekreative dhe tërheqëse për banorët e Tiranës. “Gjatë gjithë fundjavës miqtë tanë nga ushtria hapën mbi 4 mijë gropa, ku u mbollën mbi 4 mijë filiza, në një zonë të degraduar të liqenit të Prushit, në Vaqarr, shumë pranë Tiranës. Siç po transformohet Liqeni i Farkës apo i Kasharit, që janë kthyer në valvula shkarkimi për pjesët urbane të Tiranës, të njëjtën gjë parashikojmë edhe për Kombinatin, që deri në fund të këtij mandati dhe pastaj mandatin tjetër, ta kthejmë zonën e liqenit të Prushit në një hapësirë çlodhëse për ta”, shtoi Veliaj.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për modelin që ka sjellë në krye të Bashkisë së Tiranës, duke lënë një kontribut të vlefshëm edhe për brezat e ardhshëm të qytetit. “Për mua është kënaqësi e veçantë që ju bashkohem në këtë model kaq të bukur dhe të jashtëzakonshëm, që ti me shembullin tënd po promovon, por sigurisht të gjithë bashkë, për t’i dhënë Tiranës atë që shumë bukur e quajtët: “Paja e gjeneratës së ardhshme”. Sot kemi ardhur në emër të 8 mijë efektivëve të Forcave të Armatosura. Sot, kemi ardhur këtu edhe për një simbolikë të veçantë sepse sot kemi mbjellë edhe 42 fidanë në shenjë dashurie, respekti dhe mirënjohjeje për 42 të rënët tanë në krye të detyrës, 42 “Dëshmorët e Atdheut”. Në muajin dhjetor mbollëm 2000 rrënjë ullinj në ambientet publike pranë reparteve”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Xhaçka siguroi për angazhimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura për të mbështetur nisma të tilla pozitive për komunitetin. “Kjo nuk është vetëm një përpjekje e izoluar, duam të mbështesim komunitetin, duam të jemi më pranë tyre, të kurojmë pasurinë tonë të përbashkët. Ashtu siç bëni ju me shembullin tuaj çdo ditë, edhe ne do të jemi të angazhuar vit pas viti, bashkë me Forcat e Armatosura, në të tilla fushata dhe do t’ju mbështesim sa herë që të keni nevojë në këtë gjë të jashtëzakonshme që po bëni për brezat e ardhshëm. Faleminderit që na bëtë pjesë”, tha ajo.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se krahas shtimit të gjelbërimit, në këtë park do të shtohen dhe investimet në infrastrukturë, për ta bërë këtë hapësirë të aksesueshme nga qytetarët. Pishat që u mbollën sot u dhuruan edhe nga: Green Farm-Lushnje, Liridon Latifi, Universiteti i Neë York-ut, Sëiss Contact, Alsar, Sport Club Tirana, Fondacioni Mysliman, Bega shpk, Universiteti Mesdhetar, Shkolla e Mesme Ekonomike dhe shkolla “Sinan Tafaj”.
ma.me